7.2 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Zotëriu i parë emërohet drejtor për NATO-n dhe Sigurinë në MPJ

- Advertisement -

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka konfirmuar raportimet e Albanian Post se Prindon Sadriu, burri i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është emëruar Drejtor për NATO në këtë dikaster.

Albanian Post kishte kuptuar nga burime brenda MPJ-së se Sadriu ishte kthyer para një kohe nga misioni në Shkup të Maqedonisë së Veriut për të marrë pozitën e re.

Sipas burimeve të njëjta ky vendim ishte marrë nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Prindon Sadriu me të përfunduar mandatin e tij si diplomat, ai është sistemuar në MPJD sipas procedurave të përcaktuara me ligj”, thuhet në përgjigjen e MPJ-s për Albanian Post.

Sipas MPJ-së procedura e njëjtë e sistemimit nëpër departamente të këtij dikasteri vlen për “secilin diplomat i cili e përfundon mandatin katër vjeçar të shërbimit të tij në misione diplomatike”.

Sadriu është prej kohësh punonjës në MPJ në pozita të ndryshme.

Ai njihet për akuzat e tij në raport me mediat të cilat i pati quajtur “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Ishte raportuar më parë se për shkak të karakterit të tij impulsiv dhe të paqëndrueshëm, brenda ministrisë ishte përfshirë në disa raste në përleshje verbale në ministri.

Kush është Prindon Sadriu që i pati quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”?

Prindon Sadriu, burri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është zëvendësshef i misionit në Shkup, por në detyrë edhe si Zotëri i Parë.

Në të kaluarën ai i kishte quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi raportuan se Osmani, sa ishte deputete, ishte kompensuar me 4 mijë euro, për derivatet e shpenzuara, përkundër se ajo jetonte në Prishtinë dhe sipas rregullores deputetët që jetojnë në kryeqytet nuk kanë të drejtë kompensimin.

Sipas tij e gjithë kjo piketim e Osmanit nga mediat e ka një qëllim, “njollosjen e punës së presidentes”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikes, e persona të përfshir në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork 1 mijë e 200 dollarë ne Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin 50 dollarë për person (drekat e darkat iu shkonin deri në mijëra dollarë)”, pati shkruar Sadriu në rrjetin e tij social në Facebook më 8 shkurt.

“Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qëpues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes. Për juve shteti është vetëm mjet për mbrojtjen e interesave biznesore e kriminale. Kaq!”.

Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e pati dënuar sulmet e Prindon Sadriut, i cili mediat dhe gazetarëtë i kategorizoi si “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato ‘ndërmarrje të përbashkëta kriminale’”, shkroi AGK.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë”, kishte shkruar Prindon Sadriu.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit