Ish-deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka komentuar situatën politike dhe zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e cilësuar vitin 2025 si një vit të humbur për Kosovën dhe duke kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mos-ofrimin e bashkëpunimit me LDK-në.
Ai ka folur për ngarkesën politike dhe lodhjen e qytetarëve për shkak të katër palëve zgjedhjeve brenda një viti.
“Zgjedhjet e dhjetorit do të jenë të katërtat brenda vitit. Ka qenë një vit i lodhshëm politikisht dhe për qytetarët. Reagimi i qytetarëve ndaj zgjedhjeve ka qenë relativisht i lartë dhe pozitiv, por qytetarët kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer. 2025 ka qenë një vit i humbur për Kosovën, për shkak të fituesit të zgjedhjeve, i cili ka pasur 48 mandate dhe përgjegjësinë kryesore për të zgjidhur problemet dhe për të krijuar institucionet. Fituesi i zgjedhjeve e merr mandatarin për të formuar institucionet, dhe kjo është arsyeja pse partitë politike duhet të krijojnë ura bashkëpunimi dhe të kenë partnerë për të ndihmuar vendin”, tha Zogaj në Tëvë1.
Fokusi i tij kryesor ishte refuzimi i ofertës së VV-së për bashkëpunim me LDK-në:
“Partnerë, VV-ja kërkoi me LDK-në, por nuk e kishte tek ne. Ne ia kemi bërë shumë të qartë se partner tek LDK-ja nuk ekziston. Arsyeja është historia e kaluar, keq-qeverisja katërvjeçare e këtij mandati dhe, mbi të gjitha, fushata linçuese, ofenduese e përçarëse e VV-së. Nuk mundesh një ditë të ofendosh dhe të fyesh, e më pas të kërkosh bashkëpunim. Kjo nuk është e pranueshme për LDK-në”, tha Zogaj.
Ai nënvizoi se sjellja e VV-së e bën të pamundur ndërtimin e një partneriteti politik të qëndrueshëm dhe se qytetarët presin seriozitet dhe përgjegjësi nga partitë që kanë fituar zgjedhjet.
“Është e qartë që përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e krizës dhe për krijimin e institucioneve bie mbi ata që kanë fituar zgjedhjet. LDK-ja gjithmonë ka qenë e gatshme për bashkëpunim, por jo nën këto kushte, dhe jo me një partner që ka përdorur fushata linçuese dhe ofenduese për të ndarë qytetarët dhe institucionet”, përfundoi Zogaj.






