Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj i ka quajtur mashtruese dhe të pavërteta deklaratat e ministrit në detyrë të Financave për “paratë që i kanë tepruar Prishtinës ndër vite”.
Ai ka thënë se çdo euro në buxhetin e Komunës së Prishtinës është e planifikuar sipas projekteve.
“Deklaratat e ministrit të Financave për “paratë që i kanë tepruar Prishtinës ndër vite” janë mashtruese dhe të pavërteta. Në financat publike nuk ekziston koncepti i “parave të tepruara”, kur ato janë të ndara për projekte konkrete. Çdo euro në buxhetin e Komunës se Prishtinës është e planifikuar sipas projekteve, kontratave, procedurave dhe fazave të zbatimit. Nëse një projekt nuk ekzekutohet brenda vitit, mjetet barten me vendim të Ministrisë së Financave në vitin pasues, praktikë e rregullt ligjore dhe e domosdoshme për projekte shumëvjeçare si rrugët, ndriçimi publik, apo parqet”, ka shkruar Zogaj në rrjetin social “Facebook”.
Ai ka thënë se Murati para se të manipulojë me opinionin, të sqarojë pse ka bllokuar buxhetin dhe bartjen e fondeve të Prishtinës.
“Në të vërtetë, pikërisht Ministria e Financave ka vonuar bartjen e këtyre mjeteve, duke penguar përparimin e projekteve në kohë. Nuk është komuna ajo që “i lë paratë pa i shpenzuar”, por burokracia qendrore që po mban peng zhvillimin e Prishtinës për motive politike. Në vend se të manipulojë opinionin, ministri duhet të sqarojë pse ka bllokuar buxhetin dhe bartjen e fondeve të Prishtinës!”, shkruan Zogaj.






