Uniformat i kanë gati për çdo rast intervenimi.
E këto janë mbrojtja e vetme që e kanë ndaj zjarrit.
Mirëpo nga intervenimet e shumta, rrobat e çizmet janë dëmtuar.
Për Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë, pritja është e gjatë për të marrë të reja.
“Disa prej zjarrfikësve ka me ankesa që i kanë qizmet për shembull ose rrobat tjera të dëmtuara por mundësia është shumë e vogël me i zëvendësu me të reja. Dmth tash po ka procedura të tenderimit, po zgjatin po zgjatin se te na duhet me u zgjedhë problemi shpejt se intervenimet atje, zjarret nuk presin”, tha Bajram Rexhepi, brigada e zjarrfikësve.
Por përveç uniformave – edhe mjetet transportuese nuk i plotësojnë standardet.
“Kemi automjet shumë të vjetër, për zjarrfikës nuk duhet automjeti 20 vjet e 30, mjete të vjetra. I kemi disa donacione prej shteteve të perëndimit çka nuk plotësojnë kurrfarë standardi, por me ato ia kemi dalë. Nja 3 i kemi më të mira, realisht të reja i kemi marrë por edhe ato kanë fillu me u vjetru”, tha ai.
Sipas ekspertit të emergjencave, Tahir Ahmeti, shteti nuk po bën sa duhet për ta.
“Zjarrfikësit nuk e kanë trajtimin aq të duhur nga institucionet e shteti, sepse duhet cekur që edhe kohët e fundit rrezikshmërinë që e kanë pasur zjarrfikësit është ndalur nga këto institucione, pra nuk paguhet rrezikshmëria, kur dihet se puna e tyre primare është rreziku”, tha Ahmeti.
E lidhur me këtë, Sindikata e Zjarrfikësve thotë që ka kërkuar ndihmën e Avokatit të Popullit.
Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë mbulon incidentet që ndodhin në kryeqytet, Fushë Kosovë, Obiliq e Graçanicë.