137 autorë të zjarrvënieve janë identifikuar prej qershorit deri më datë 14 gusht në vendin tonë.
Ndërkohë, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale, në drejtimin e drejtuesve të qarqeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vijojnë të jenë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe duke mbështetur Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit, për shuarjen e flakëve.
Strukturat operacionale të Policisë së Shtetit po kontrollojnë dhe monitorojnë zonat me dronë, për të identifikuar në kohë personat që shkaktojnë zjarr, duke djegur pronën private, banesa, pyje, kullota dhe, në shumë raste, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, punonjësve të Policisë, zjarrfikësve dhe Emergjencave Civile.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët që të mos shkaktojnë zjarre. Blegtorët dhe fermerët janë përgjegjës për tokat dhe kullotat që kanë në pronësi apo në përdorim.
Thirrje për të gjithë banorët: mos ndizni zjarr për djegien e mbetjeve të prodhimeve bujqësore apo për pastrimin e territorit, pa njoftuar dhe marrë masa me instancat përgjegjëse.
Shkaktimi i zjarrit, me qëllim apo nga pakujdesia, është vepër penale dhe Policia e Shtetit po punon, në bashkëpunim me banorët, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të gjithë atyre që shkaktojnë zjarre.