Në kuadër të kongresit ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”, i cili ka filluar të enjten me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, është mbajtur edhe sesioni “Zhvillimi i hershëm, inkluzioni dhe shëndeti mendor i fëmijëve”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë sesion, u prezantuan tri hulumtime; “Çrregullimet në të ngrënë tek fëmijët me autizëm dhe reflektimet nutricioniste në këtë çrregullim”, “Piketa në zhvillimin e konsultimeve prindër-fëmijë” dhe “Ikluzioni psikosocial dhe komplementariteti mes sfidave aktuale dhe perspektivave të shëndetit mendor”.
Migena Kika, profesoreshë në disa universitete të Tiranës, e cila prezantoi hulumtimin e parë, tha se tek çrregullimet e fëmijëvë në të ngrënë, vendin kryesor e ka mjeku për diagnostifikim e psikologu për trajtim.
“Është një problematikë kryesore ne të cilen vendin kryesor e ka mjeku, mirëpo pesha më e madhe e trajtimit i bie tek psikologët”.
Ndërsa, për çrregullimet e autizmit, ajo ka thënë se janë ndër me të shpeshtat te fëmijët.
Doktoresha Xhezide Lumi, e cila prezantoi hulumtimin e dytë, ka potencuar rëndësinë e komunikimit të prindërve me fëmijët nën moshën pesë vjeçare.
Ndërsa, psikologu nga Maqedonia e Veriut, Musa Musai, teksa foli për inkluzionin psikosocial dhe sfidat aktuale të shëndetit mendor, tha se psikologët kanë një rol të rëndësisëm në mirëqënien e shoqërisë.
Në këtë kongres të organizuar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë, morën pjesë psikologë, psikiatër e pedagogë. Aty u theksua rëndësia e shëndetit mendor dhe luftimi i stigmës që e mbështjellë atë.