Bekim Jashari ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale lidhur me luftën çlirimtare të UÇK-së, duke i cilësuar ato si të rrezikshme dhe të padrejta.
Sipas Jasharit, këto akuza janë vazhdimësi e propagandës serbe, e cila, siç thotë ai, ka arritur të depërtojë edhe në këtë gjykatë. Ai thekson se çdo vendim duhet të mbështetet në fakte, ndërsa faktet dhe argumentet janë qartazi në anën e popullit të Kosovës, i cili luftoi për liri dhe krijoi UÇK-në.
“UÇK-ja fitoi mbështetjen ndërkombëtare të miqve tanë dhe, bashkë me NATO-n, solli lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Jashari, duke shtuar se bota demokratike ka dëshmuar me fakte se kjo ishte një luftë e drejtë, në përputhje me ligjet ndërkombëtare të luftës.
Ai rikujtoi se Serbia ishte pala e vetme agresore, përgjegjëse për krime makabre gjatë luftës, përfshirë mbi 10 mijë të vrarë, më shumë se 100 masakra ndaj civilëve, dëbimin e rreth një milion qytetarëve dhe dhunimin seksual të mbi 20 mijë grave e vajzave shqiptare.
“Drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që viktima të barazohet me agresorin”, theksoi Jashari, duke shtuar se askush nuk mund të dënohet në emër të këtij populli, pasi populli i Kosovës e krijoi UÇK-në.
“UÇK-ja është vetë populli”, përfundoi ai.
Postimi i plotë:
Me shqetësim të madh po ndjek pretendimet e rrezikshme të Prokurorisë së Gjykatës Speciale rreth luftës sonë çlirimtare.
Të gjitha këto akuza janë vazhdimësi e gjithë propagandës serbe, e cila fatkeqësisht ka arritur të depërtojë me lehtësi edhe në këtë gjykatë.
Vendimet e kësaj gjykate duhet të jenë të mbështetura në fakte, e faktet dhe argumentet janë në anën e popullit që kërkoi liri dhe krijoi UÇK-në, e cila fitoi mbështetjen ndërkombëtare të miqve tanë dhe, bashkë me NATO-n, sollën lirinë tonë.
Për këtë luftë të drejtë, që respektoi ligjet ndërkombëtare të luftës, dëshmoi edhe bota demokratike me fakte se UÇK-ja është e pastër si loti dhe aleati kryesor i NATO-s për të instaluar paqen në Ballkan. Kjo është prova se Kosova nuk ishte agresori.
Në Kosovë kishte vetëm një palë që kishte bërë krime, madje makabre, ajo është Serbia, kriminelët e së cilës shëtisin të lirë, ani pse kanë vrarë më shumë se 10.000 shqiptarë, mbi 100 masakra janë kryer ndaj civilëve, përfshirë fëmijë dhe pleq, rreth 1 milion njerëz janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, mbi 20.000 gra e vajza kanë përjetuar dhunë seksuale, vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse nuk duronin më të jetonin në robëri.
Drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që viktima të barazohet me agresorin.
Andaj kjo gjykatë nuk mund të dënojë askënd në emër të këtij populli, sepse ky popull e krijoi UÇK-në, UÇK-ja është vetë populli .






