Zona për nxjerrjen e thëngjillit tashmë është caktuar.
Por brenda kësaj zone gjinden edhe varrezat e fshatit Sibovc të Obiliqit.
Për zhvarrimin e të vdekurve, Korporata Energjetike e Kosovës ka shpallur tender.
Por, disa prej banorëve të këtij fshati thonë që nuk do nënshkruajnë për zhvarrimin e trupave të familjarëve të tyre.
“Ne nuk e kemi nënshkru për zhvarrimin e varrezave për familjarët që i kemi ne, gjashtë familjarë të varrosur. Nuk e kemi nënshkru ne dhe familja Kongjeli këtu që është mbrapa, arsyeja është se vlerësimin që na ka bërë KEK kohët e fundit është shumë katastrofë. Për atë arsye nuk e kemi nënshkru dhe as që e kemi në plan me nënshkrua”, thotë Afrim Mexhani, përfaqësues i fshatit Sibovc.
“Le te vazhdojnë, ka thëngjill ma tutje, ka thëngjill me ble n’Poloni, Bullgari Greqi, kudo ka thëngjill. Nuk është e vërtetë që për interesa shoqërore duhet neve me na mbytë tash. Kjo është mbytje. Unë nuk nënshkruaj, as për varreza, as për tokën me ja shitë, shteti le ta merr”, thotë Daut Krasniqi, banor i lagjes “Mexhuani’’
Rrahim Krasniqi, ka një kërkesë të veçantë
“ Kur i çvarrosin nuk e di, edhe unë nuk kisha pranu me i çvarrosë pa na pranu nga një anëtar të familjes në KEK këtu. Prej tana anëve janë punësu në KEK e rrethina jonë nuk është punësu, krejt i kemi të papunë”, thotë ai.
Mirëpo nga KEK-u thonë se dislokimi i varrezave është emergjent për këtë institucion.
“Kompensimi i lokacionit- parcelës kadastrale ku gjenden varrezat nr.1128-0 zk- Sibovc KK-Obiliq është i përfunduar. Për këtë çështje procedurale, kemi pas takime të rregullta me banorët e kësaj zone, përkatësisht lagjes: Mexhuani dhe Krasniqi etj, si në KEK ashtu edhe në lokacionet e KK-Obiliq për gjetjen e lokacionit të zhvendosjes së varrezave sipas kërkesës së tyre. Zhvendosja e këtyre varrezave është me urgjencë meqë drejtpërdrejt e pengon KEK.sh.a. në avancim të mihjeve Sibovci Jugperëndim”, thuhet nga KEK-u.
Ndërsa zhvendosja e varrezave sipas Komunës së Obiliqit do të bëhet në varrezat e këtij qyteti.
“Ky është interes nacional, jo vetëm i komunës së Obiliqit por është interes nacional për eksploatim të thëngjillit, duhet të zgjerohet miniera prandaj në atë zonë gjinden lokacione të varrezave. Janë edhe disa, edhe dy lokacione të tjera afër kështu që edhe ato në një të ardhme të afërt duhet të dislokohen. Kurdo që të ndodhë, ato do të varrosen në lokacionin e varrezave të qytetit të Obiliqit”, thotë Ibush Mjekiqi, nënkryetar i komunës.
Përveç zhvendosjes së varrezave, në proces është edhe kompensimi i patundshmërive dhe i të lashtave tjera në disa zona kadastrale të Obiliqit. /Tëvë1/