Ka përfunduar dëshminë dëshmitari Skender Zhitia në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari tha se populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe djemtë të cilët e kanë themeluar atë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës-organizatë politike dhe ushtarake është projekti më i suksesshëm i kombit shqiptar në shekullin XX. UÇK jo vetëm që dinë me organizu luftë të drejtë e të nevojshme, por ka organizu dhe udhëheqë luftë të domosdoshme për ekzistimin e popullit shqiptar në trevat e veta dhe me luftën e vetë të drejtë ka arrit me e ba aleat edhe forcën kryesore siç ka qenë NATO. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me këtë luftë e ka bërë epokën e vetë. Populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe me ata djem që e kanë themelu UÇK-në. Drejtuesit e UÇK-së janë një emblemë që do të rrezatojë gjithmonë edhe në historiografinë shqiptare”, tha dëshmitari Zhitia duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit.
Pas përfundimit të pyetjeve të mbrojtjes së Krasniqit, pyetje shtesë për dëshmitarin pati serish prokurorja Silvia D’Ascoli lidhur me metodologjinë që ai kishte përdorur në librin e tij.
Me kaq përfundoi dëshmia e këtij dëshmitari si dhe seanca e sotme u krye për të vazhduar më pas nesër me dëshmitarin e radhës.
Zhitia, gjatë dëshmisë në Hagë ka thanë se asnjëherë nuk ka pasur kontakt me Jakup Krasniqin.
“E saktë, nuk kam pas asnjëherë kontakt”, tha Zhitia duke u përgjigjur në kundërpyetjet e avokates së Krasniqit, Shyamala Alagendra.
Ndërsa për librin e Krasniqit, dëshmitari tha se pasi që ka qenë i botuar, ia ka dhënë vetes të drejtën që t’i referohet por që nuk e di se cila nga pjesët është e ekzagjeruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I pyetur nëse e kishte përcjellë dëshminë e Rrustem Mustafës në këtë rast, Zhitia tha se nuk ka pasur mundësi për shkak të disa ngjarjeve familjare, por që i ka parë disa pjesë.
Kur u pyet se a pajtohet me deklaratën e Mustafës se lufta e UÇK-së ka qenë më shumë propagandistike sesa operacionale, dëshmitari tha se nuk ka koment për këtë.
“S’kam koment. S’muj dhanë mendim për deklarata të personave që kanë përgjegjësi. Nuk kam autoritet për me dhanë mendim për deklarata që ka dhënë Rrustem Mustafa”, tha dëshmitari Zhitia.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokates së Thaçit, Sophie Menegon, dëshmitari tha se Zona Operative e Llapit ka marrë donacione vazhdimisht nga qytetarët, si uniforma e të tjera.
Ai tha se emërimet që ishin bërë në gusht ishin iniciativë e Rrustem Mustafës pa ndonjë urdhër nga lart.
“Ishte ndër zonat e mirë organizuara dhe me iniciativa të ndryshme që kanë ndihmuar që ajo të organizohet në nivel më të mirë. Ndërsa, sa i përket çështjes tjetër ‘vetëorganizimi’ është çështje që unë nuk mund ta komentoj dhe ta them, por besoj që iniciativat kanë qenë të nisura nga Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa pa marrë ndonjë urdhër më lartë ose ndonjë iniciativë më lartë. Është fjala në raste të veçanta”, tha Zhitia.
Dëshmitari tha se në vizitat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Zonën e Llapit nuk ka qenë pjesëmarrës. Kurse, theksoi se emërimet janë bërë nga Remi.
“Në Zonën Operative të Llapit personat në pozitat e ndryshme komanduese janë emëruar nga komandant Remi më 18 korrik 1998 dhe mund t’i referoheni të dhënave në librin tim”, tha ai
Dëshmitari mohoi se ka qenë pjesë e delegacionit ose procesit në Rambuje, si dhe tha që nuk iu kujtohet se ka diskutuar për këtë çështje me ndonjë prej të intervistuarve në librin e tij.
Pyetje për dëshmitarin nuk pati mbrojtja e Selimit dhe as ajo e Veselit.
Zhitia ka thënë se nuk e ka pasur fatin që gjatë luftës t’i takojë ndonjërin nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këtë deklarim, dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, përmes avokates Sophie Menegon.
“Gjatë luftës nuk e kam pasur fatin ta takoj asnjërin nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm”, tha Zhitia, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se edhe në libër e kishte potencuar se ky libër përfaqëson vetëm opinionin e tij sa i takon ngjarjeve në Zonën Operative të Llapit dhe se ky opinion nuk është fjalë përfundimtare.
Përpara se të filloi pyetjet avokatja Menegon, në pyetje dëshmitarin e mori prokurorja Silvia D’Ascoli, e cila u fokusua tek libri i dëshmitarit ku kishte përshkruar vizitën e përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së më 18-20 gusht 1998.
Në libër, dëshmitari kishte thënë se delegacioni ishte në përbërje me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Bislim Zyrapin, si dhe ata u pritën nga Komandant Remi i shoqëruar nga Fatmir Humolli, Hyzri Talla, Latfi Gashi, Kadri Kastrti, Nuredin Ibishi dhe Sabri Kiçmari.
“Është e rëndësishme me e potencu që në Zonën Operative të Llapit për këtë e kam quajt që u bë zyrtarizmi për faktin se më 18 korrik, komandanti Rrustem Mustafa veç i kishte emëruar këto struktura, këto personalitete në pozita më përgjegjësi. Më 18 korrik këto personalitete ishin emëruar, kështu gjatë vizitës vetëm u zyrtarizuan. Komandant Remi e njoftoi delegacionin e Shtabit të Përgjithshëm me vendimet të cilat i kishte marrë paraprakisht. Kështu që kjo vizitë pavarësisht që unë e kam quajtur si zyrtarizmi dhe zyrtare, të gjitha ato emërime që i kishte bërë më herët komandanti Rrustem Mustafa këto i miratuan ose u miratuan nga ky delegacion dhe sigurisht e kam potencu edhe vendimet që janë marrë. Unë në referencë i kam pas intervistat që i kam bërë me komandant, por edhe literaturë tjetër që e kam shfrytëzu në atë kohë e që kanë qenë si referencë”, tha dëshmitari tutje.
Dëshmitari tregoi se edhe ku i ka mbështetur të dhënat e vendosura në librin e tij.
“Shënimet i kam mbështetur në të dhënat që i kam marrë nga drejtuesit e Zonës Operative të Llapit”, tha ai.
Më pas, prokurorja ia prezantoi dëshmitarit librin e Jakup Krasniqit që fliste për këtë vizitë të delegacionit të Shtabit të Përgjithshëm në Zonën Operative të Llapit.
Duke cituar, D’Ascoli tha se në libër thuhet se shkuarja e këtij delegacioni kishte për qëllim për të përgatitjet e UÇK-së që po bëheshin, të bëheshin emërimet e kuadrit komandues dhe të njoftonin me rrjedhat e luftës në terren.
Dëshmitari tha se e ka lexuar librin në fjalë dhe sipas tij ai ka qenë një prej referencave kryesore sa i takon aspekteve të përgjithshme. Sipas tij, libri i Jakup Krasniqit përputhet me atë se çfarë është duke e thënë ai në sallën e gjykimit.
Gjatë pyetjeve të saj, prokurorja D’Ascoli pyeti dëshmitarin lidhur me disa kode të individëve të cilat veçse ishin përshkruar në librin e tij.
“Si numra nuk i njoh se nuk kemi komuniku gjatë luftës, por si emra i mbajë mend. Si emra ‘Profa’ dhe ‘Azizi’ tjerët nuk i njoh. Nuk e di. Ndoshta i njoh, por si pseudonime nuk i njoh”, tha dëshmitari Zhitia.
Me kodin ‘Profa-20’, dëshmitari tha se ka qenë komandanti i Brigadës 152, Shaban Shala dhe se Azizi ishte me numrin 30.
“E njoh mbas lufte (Azizi) në Forcën e Sigurisë së Kosovës një kohë sa ka qenë dhe më shumë nuk kam informacion për ata. Nuk e kam ditë por gjatë përgatitjes së librit e kam kuptu se çfarë detyre ka pas (gjatë luftës). E kam në librin tim se kur është emëru zëvendëskomandant i Brigadës 152”, tha dëshmitari.
Sekender Zhitia tha se Naim Kadriun nuk e ka njohur gjatë luftës. Ndërsa, për Muhamet Latifin dëshmitari pohoi se ka qenë komandant i mbrojtjes civile, të cilin e ka ndihmuar në mobilizimin e personave që dëshironin që të kyçeshin në UÇK.
Ai gjithashtu pohoi se Muhamet Latifi ishte nga mbrojtja civile, Salih Mustafa nga njësiti ‘BIA’ dhe Skenderu Murati në sektorin e shëndetësisë të cilën kanë qenë edhe pjesë e strukturës organizative të Zonës Operative të Llap.
Zhita gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se avokatë dhe prokurorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), kanë shkoqitur fjalë dhe fjali nga libri i tij, të cilat në opinion më pas kanë përcjellë mesazh të gabuar.
Këtë deklaratë, dëshmitari e bëri pasi u pyet nga prokurorja Silvia D’Ascoli se a e ka ribotuar ndonjëherë librin e tij.
“Po, e kam ribotu në vitin 2023 pa ndryshime. Arsyeja e ribotimit është fakti që nga kjo dhomë, avokatë por edhe prokurorë kanë shkoqit fjalë dhe e fjali nga tanësia e librit tim, të cilat në opinion e kanë përcjellë një mesazh të gabuar”, tha dëshmitari.
Përpara kësaj, Zhitia u pyet për një pjesë të librit ku përshkruhen ngjarje në Zonën Operative të Llapit nga 24 marsi 1999 deri më 1 maj të vitit 1999.
Ai pohoi se është i saktë informacioni që e ka pasqyruar në libër, ku kishte treguar se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, në Zonën Operative të Llapit kishte filluar ofensiva serbe dhe se Serbia kishte filluar me planin ‘Patkoi’ për dëbimin e shqiptarëve.
“Po, ato të cilat kishin për qëllim dëbimin e popullatës civile nga rajoni i Zonës Operative të Llapit, por është një operacion i bazuar në planin “Patkoi’ të Serbisë në atë kohë i cili filloi me fillimin e bombardimeve të NATO-s dhe ky operacion filloi nga pjesa më veriore e Kosovës, respektivisht nga zona Operative e Llapit. Kështu që u mobilizuan të gjitha njësitë në atë kohë që t’i dalin në ndihmë popullatës për t’u evakuuar dhe larguar nga regjionet të cilat ishin me të rrezikueshme. Pra, tek ‘Patkoi’ kemi çka të shtojmë dhe të themi”, tha Zhitia.
Ndryshe, pranuan në prova materiale faqet e librit të dëshmitarit për të cilat ai u mor në pyetje deri tash. Këto faqe të librit u klasifikuan si prova publike