-4.5 C
New York
Tuesday, January 7, 2025

Buy now

Zhgënjimi i diasporës/Në 2021 për 9 ditë u regjistruan 102 mijë votues, në 2024 për 120 ditë vetëm 105 mijë votues

- Advertisement -

 

Të dhënat statistikore nga regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, mund të shërbejnë si një paralajmërim për ndryshime të mëdha në elektoratin e Kosovës në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të datës 9 shkurt 2025.

Rënia e interesimit të diasporës për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet paralamentare është një mesazh i fuqishëm i bashkëatdhetarëve për braktisjen e mbështetjes për kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.

Kjo është parë edhe me mbështetjen e madhe që partitë opozitare kanë gjetur gjatë tubimeve të organizuara në shtete të ndryshme evropiane.

Duket gati e pabesueshme, por edhe pse periudha e regjistrimit e shpallur nga KQZ-ja zgjati për 120 ditë, vetëm 104 mijë e 924 votues jashtë Kosovës janë regjistruar për votim në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Aplikime kishte më shumë, rreth 115 mijë, por jo të gjithë arritën të plotësojnë kriteret.

Kjo shifër është gati e njejtë me atë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit 2021, të cilat u fituan nga Kurti dhe Vetëvendosje me 50.02%.

Për vetëm 9 ditë gjatë vitit 2021, numri i shtetasve të Kosovës që ishin regjistruar për të votuar ishte 102 mijë e 465 votues. Aplikime kishte më shumë, plotë 130 mijë, por jo të gjithë kishin plotësuar kriteret.

Pavarësisht kohës së gjatë të ofruar nga KQZ-ja, bashkëatdhetarët u përgjigjën me numër jo të madh.

MASHTRIM I DIASPORËS NGA KURTI, OSMANI DHE KONJUFCA

Treshja politike Kurti – Osmani – Konjufca që erdhën në pushtet edhe me mbështetjen e madhe të diasporës, harruan të gjitha premtimet e tyre pasi gjetën rehatinë në zyret shtetërore.

“Ligji për diasporën do të ndryshohet për të reflektuar ndryshimet institucionale”.

Ky ishte premtimi i madh i kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij, i shprehur në Programin e Qeverisë për periudhën 2021 – 2025 dhe i miratuar në mbledhjen e saj më 7 maj 2021, por pas asaj mbledhje “ndryshimi i ligjit për diasporën” nuk është përmendur më nga kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Edhe pse erdhën në pushtet me votën e Diasporës, as Vjosa Osmani e as Albin Kurti, nuk bënë asgjë për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, ndonëse u kishin premtuar se do të përfshihen në të gjitha segmentet e jetës.

Para se të vinin në pushtet Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në një debat me temën “Përfshirja e mërgatës në demokraci, ekonomi dhe shoqëri – në Kosovë dhe Zvicër”, kishin premtuar para bashkëatdhetarëve se kishin një plan për ndryshimin, përkatësisht vendosjen e principeve të reja të bashkëpunimit me diasporën në aspektin e investimeve të tyre në Kosovë.

Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili si opozitar kundërshtonte si të pamjaftueshme ndryshimet në Ligjin për Diasporën, pas 4 vitesh në pushtet nuk e shkruajti asnjë shkronjë për të përmirësuar këtë ligj apo për të hartuar ndonjë të ri për diasporën.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit