Edon Zhegrova i është bashkuar skuadrës së Juventusit në stërvitje, pasi duket se ka tejkaluar shqetësimin që e la jashtë ndeshjes me Comon.
Zhegrova është paraqitur në stërvitjen e fundit të Juventusit, të martën, para nisjes për në Madrid, ku do të përballet me skuadrën e Realit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi i krahut, pritet të jetë pjesë e listës së trajnerit Igor Tudor për këtë ndeshje, por nuk dihet nëse do të aktivizohet.
Ndeshja mes Real Madridit dhe Juventusit, do të zhvillohet të mërkurën nga ora 21:00 në stadiumin “Santiago Bernabeu” dhe i takon xhiros së tretë të fazës së ligës të Championsit.
Pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani në Ligën e Kampionëve, Real Madridi ka 6 pikë falë dy fitoreve, ndërsa Juventusi ka regjistruar dy barazime dhe është në kërkim të fitores së parë.
Këtë sezon, Zhegrova ka vetëm një paraqitje në Champions për Juventusin dhe atë vetëm tre minuta kur ndihmoi në barazimin 4:4 kundër Borussia Dortmundit.
Po ashtu, 26-vjeçari ka edhe dy ndeshje apo 33 minuta lojë në kuadër të kampionatit italian – Serie A.