Gazetari Daniel Riolo i RMC Sport në një emision ka thënë se Edon Zhegrova mund të jetë nënshkrimi i mundshëm nga liga franceze për Real Madridin.
Francezi besonë se ardhja e Kylian Mbappe nga Franca nuk do të jetë e fundit për vitet në vijim, pasi Ligue 1 është atraktive për Real Madridin.
Në një emision të Radio Montecarlo, Riolo njoftoi për nënshkrimin e mundshëm të yllit të ligës franceze, Edon Zhegrova, për mbretërit e Evropës, shkruan Defensa Central, medium i afërt me Real Madridin.
Daniel Riolo dhe RMC Sport janë vendosur aktualisht në kryeqytetin e Spanjës dhe ndjekin lajmet rreth Kylian Mbappe, si dhe lëvizjet që mund të bëjë Real Madridi nga ligat kryesore të Evropës.
“Edon Zhegrova ende nuk është stabil. Në kokën e tij ai e sheh veten në Real Madrid, kjo është e sigurt. Në kokën e tij ai e sheh veten duke mbërritur në Real Madrid, duke parë Vinicius dhe duke i thënë: Vini, je i sjellshëm, të lutem largohu, rri me fëmijët, më jep vendin tënd”, deklaroi Daniel Riolo në RMC Sport.
Anësori nga Kosova është një nga lojtarët që është rritur më së shumti në një sezon të Ligue 1 ku në Lille komandon sulmin nga krahu i djathtë dhe ka një profil të një anësori që krijon dhe është emocionues për skuadrën franceze.
25 vjeçari tani është lidhur me Real Madridin nga Daniel Riolo dhe RMC Sport, ndërsa në të kaluarën ka qenë i lidhur edhe me klube si Milan, Arsenal dhe Manchester United.
Çmimi i tij llogaritet të jetë afër 25 milionë euro sipas Transfermarkt, ndërsa kontrata e tij përfundon në vitin 2026, por ai pritet të largohet nga futbolli francez në fund të këtij sezoni.