Nënë e dy fëmijëve, Konxhe Ramazani nga Elbasani punonte prej disa vitesh në qytetin e Pejës, si kërcimtare në një klab nate, ndërsa njihej me emrin ’Xheni’.
Gruaja me flokë të gjata dhe tatuazhe të shumta në trup u zhduk, pasi la në banesë dy fëmijët e saj të mitur.
Mbrëmjen e 19 majit u nis për në punë.
E ftuar në emisionin ’Pa Gjurmë’ në Report TV e ëma tregon në transmetim live audio-mesazhin shokues që i mbërriti për të bijën disa ditë pas humbjes, në rrjetin social facebook, nga një shqiptar i Kosovës.
“Humbjen e Xhenit e mësova nga mbesa. Ajo më telefonoi dhe më tha nëna ka ikur dhe jemi vetëm. U nisa menjëherë tek ata. Qëndrova pak ditë në Pejë dhe pas denoncimit në polici erdha me fëmijët në Elbasan. Disa ditë më vonë jam tronditur edhe më shumë, kur dikush me solli një audio ku dëgjohej të thuhej:‘Edhe këtej gati e kanë marrë vesh krejt se kanë mbyt diku Xhenin….’- u shpreh nëna.
Për emisionin ‘ Pa Gjurmë’ flet dhe e bija e Konxhe Ramazanit, ndërsa rrëfen mes lotësh si u nda me nënën mbrëmjen e 19 majit dhe mesazhi i fundit që ajo i dërgoi.
“Atë natë, si zakonisht, nëna u nis për në punë, pasi ajo punonte vetëm natën. E prita deri të nesërmen në mëngjes, por ajo nuk erdhi. I shkruajta më datë 20 maj, në “snapchat” por nuk me ktheu përgjigje. Pasi kaluan më shumë se 24-orë nga largimi i saj më mbërrin një mesazh nga mami, sikur ndodhej në Itali dhe unë duhet të telefonoja gjyshen qe ajo të vinte të na merrte. Nisa të dyshoja dhe u trondita. E kuptova që nuk ishte nëna ime, pasi ajo nuk shkruante në atë mënyrë. Nisa të qaja dhe e fajësoja që na braktisi, por e kuptova që nuk ishte ajo, por dikush tjetër përdorte telefonin e saj”, u shpreh e bija.
Pas dy ditëve, pa ushqim dhe të trëmbur, motër dhe vëlla telefonojnë gjyshen për ndihmë. Ndërsa e bija tregon gjatë intervistës se nisi të provokonte personin që shkruante në emrin e nënës së saj.
‘ Pasi e kuptova që nuk ishte nëna ime, nisa të bëja provokime duke i thënë se kishim ngelur rrugëve, por nuk reagoi, gjë të cilën mamaja ime nuk do e bënte, nuk do na linte rrugëve. Madje edhe kodet e rrjeteve sociale të nënës ishin ndërruar’.