Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ) në Maqedoninë e Veriut, ka bërë të ditur se deri në orën 9:00 kanë votuar 3.85 për qind e qytetarëve për zgjedhjet presidenciale.
Kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se të gjitha vendvotimet janë hapur dhe se procesi po shkon pa parregullsi.
Sipas tij në disa qendra janë paraqitur disa probleme teknike, por që do të zgjidhen shumë shpejt.
Probleme janë paraqitur në disa vendvotime në qytetin Kumanovës.
“Siç thashë kemi filluar me kohë në orën 9:30. Në 1480 vendvotime në 80 komuna në territorin e Maqedonisë së Veriut të drejtën për të votuar e kanë gjithsejtë 1814,317 qytetarë, dy orë e gjysmë që kur ka filluar votimi, në të gjitha vendvotimet, procesi zgjedhor po rrjedh pa parregullsi. Deri në orën 09:00 kanë arritur të dhëna për daljen e votuesve në 832 vendvotime nga gjithsejtë 402 748 votues të regjistruar në këto vendvotime, kanë votuar 15487apo 3.85 për qind e votuesve. Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar 12 parashtresa që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtës zgjedhore të cilat janë lëndë e përpunimit. Këtë proces zgjedhor janë duke e përcjellë 915 mbikëqyrës vendor dhe 544 ndërkombëtar dhe 58 gazetar të huaj”, tha ai në konferencë për medie.
Krahas kësaj, ai bëri të ditur se konferenca e radhës e KShZ-së do të mbahet në orën 13:00.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot vendosin për presidentin e tyre të ardhshëm. Këto janë zgjedhjet e shtatë presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Vendvotimet është paraparë të hapen në orën 7:00, ndërsa votimi zgjatë deri në orën 19:00. Votohet në 3480 vendvotime në tërë Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore është 1.814.317.
VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje do të garojë me deputetët aktuale Gordana Siljanovska*Davkovën. Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski. Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit. Pjesë e garës zgjedhore do të jetë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.