11.2 C
New York
Sunday, November 17, 2024

Buy now

Zgjedhjet lokale në Turqi, si po përdoret inteligjenca artificiale për lajmet e rreme

- Advertisement -

Aleatët politikë të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan duan të rimarrin kontrollin e Stambollit në zgjedhjet lokale të marsit. Mediat e pavarura po paralajmërojnë për taktikat që ata po përdorin, duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe videot e rreme në reklamat e fushatës. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones nga Stambolli, kundërshtarët thonë se këto janë pjesë e masave të qeverisë edhe për të ndaluar qasjen e njerëzve tek mediat ndërkombëtare.

Në Turqi, një video e postuar në rrjetet sociale, e krijuar nga inteligjenca artificiale, tregon kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu duke thënë se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka bërë punë të mira.

Sondazhet tregojnë se gara për drejtimin e qytetin, do të jetë e ngushtë dhe mediat e pavarura paralajmërojnë për rrezikun e videove dhe lajmeve të rreme, pasi mediat kryesore, që janë nën kontrollin e qeverisë, nuk po verifikojnë vërtetësinë e videove.

“Ju mund të krijoni një video të rreme nëpërmjet inteligjencës artificiale dhe më pas ta publikoni si një reklamë fushate. Videot e rreme zakonisht nuk postohen në portalet e lajmeve, por ato arrijnë te miliona njerëz si reklama. Rreth 40 milionë njerëz votojnë në Turqi dhe kur i pyet njerëzit nëse Ekrem Imamoglu i ka thënë në të vërtetë këto fjalë ata thonë ‘po’, për faktin se ata e besojnë këtë video dhe ndjekin mediat kryesore në vend që janë nën kontrrollin e pushtetit”, thotë Hikmet Adal, gazetar në portalin “Bianet”.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, zoti Erdogan përdori një video që tregonte në mënyrë të rreme kundërshtarin e tij Kemal Kilicdaroglu me udhëheqësit e grupit separatist kurd, i cili po lufton qeverinë turke.

Grupet e të drejtave paralajmërojnë se media e pavarur turke po përballet gjithnjë e më shumë me një tjetër kërcënim të ri.

“Ligji i ri kundër dezinformimit bëri që të nisin shumë hetime dhe të ketë shumë ndjekje penale për gazetarët”, thotë Yaman Akdeniz, nga Shoqata e Lirisë së Shprehjes.

Akuzat e ngritura ndaj mediave në Turqi, në bazë të ligjit të ri, të ashtuquajtur kundër dezinformimit, kanë bërë që burimet ndërkombëtare të lajmeve të jenë thelbësore për ekspozimin e lajmeve të rreme.

Autoritetet turke po bllokojnë qasjen në internet për burimet e huaja të lajmeve si Deutsche Welle dhe Zëri i Amerikës, të cilat transmetojnë në turqisht. Këto media mund të lexohen vetëm duke përdorur një rrjet privat virtual, i njohur si VPN, i cili anashkalon masat ndaluese.

“Kufizimi i qasjes në internet është i njëjtë për regjimet dhe qeveritë autoritare. Dhe kështu, ne shohim në të gjithë botën një rritje të përdorimit të VPN, veçanërisht në vende si Turqia”, thotë Antonio Cesarano, nga kompania “Proton” që ofron internet të sigurt për njerëzit në Turqi.

Por tani, autoritetet turke po kufizojnë gjithashtu disa nga rrjetet që ofrojnë VPN-të më të përdorura.

Zoti Cesarano e quan atë si një lojë mes qeverisë dhe kompanive që të vazhdojnë të investojnë në teknologji, që mund t’i lejojnë njerëzit të kenë qasje në internet pa censurë.

Ndërkohë mediat e pavarura paralajmërojnë se po përballen me një betejë të humbur në verifikimin e lajmeve të rreme…

“Ne si media nuk mund të luftojmë me lajmet e rreme, pasi ekipet tona janë shumë të kufizuara: 20 persona, ndoshta 15 persona. Ky është numri maksimal i një redaksie. Por ata kanë një ushtri nga pas”, thotë Hikmet Adal, gazetar në portalin “Bianet”.

Me sondazhet që tregojnë se zgjedhjet e Stambollit do të jenë një garë e ngushtë, analistët paralajmërojnë se rreziku i lajmeve të rreme ka të ngjarë të rritet, duke rritur edhe më shumë trysninë mbi mediat e pavarura. /VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit