Demokracia parlamentare në Kosovë do të nisë këtu e 25 vjet më parë, me 28 tetor të vitit 2000, kur në vend u mbajtën zgjedhjet e para lokale, nën Administrimin ndërkombëtar të UNMIK-ut dhe nën organizimin e Misionit të OSBE-së.
Do të ishte kjo datë me rëndësi të madhe historike dhe politike. Teksa UNMIK priste një rrëmujë të madhe në qendrat e votimit, pos tjerash, sepse kosovarët për herë të parë po e ushtronin të drejtën e tyre për të zgjedhë në mënyrë të lirë në një atmosferë të përplasjeve politike të pasluftës, 28 tetori ishte një ditë e qetë (më e qeta deri atëherë), teksa vullneti i qytetarëve të Kosovës u shpreh në mënyrën më të mirë të mundshme.
Deri më tash së paku, nuk i ka ra kujt ndërmend ndër ne që ta kujtojë faktin që për pak ditë do të mbushen një çerek shekulli të funksionimit të demokracisë parlamentare ndër ne.
Të gjithë që janë pjesë e skenës politike në vend janë tepër të zënë me fushatën për zgjedhjet e teta lokale në Kosovë, për ta kujtuar se çka ka ndodhur atje në tetorin e vitit 2000, që duket një shekull politik larg zhvillimeve të sotme.
Në ndërkohë, zhvilluam institucionet demokratike, lamë prapa administrimin ndërkombëtar, u bëmë shtet i pavarur, përjetuam katër vite të mbikëqyrjes ndërkombëtare, u pranuam prej mbi njëqind shteteve, hymë në shumë organizata ndërkombëtare, vazhduam me dialogun (e vazhdueshëm) me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve për të mbërritur në fazën kur këto marrëdhënie janë më të këqija tash se sa fare në fillim të këtij dialogu, etj.etj.
Por, në temën e demokracisë, të funksionimit të saj, proceset gjithmonë sillen në rreth, në pajtim me vetë logjikën e cikleve zgjedhore, të cilat në rastin e votimeve për pushtetin komunal tek ne, mbahen me rregull, çdo katër vjet, gjë që mundëson një pushtet stabil në shkallë të komunave, e cila gjë ka qenë (siç e dimë), përjashtim kur bëhet fjalë për zgjedhjet për pushtetin qendror.
Megjithatë, kësaj radhe, këtë të diele, me 12 tetor, pesha e votimeve për pushtetin lokal, do ta ketë të thuash po atë rëndësi që e ka pasur 25 vjet më parë, në tetorin e vitit 2000.
Mund të duket paradoksal ky përfundim, por ai është i qëndrueshëm.
Edhe atëherë, edhe tash, vlera e zgjedhjeve lokale tejkalon peshën formale të tyre.
Atëbotë, në vitin 2000, ishte me rëndësi për të gjithë, si për faktorin ndërkombëtar, ashtu edhe për atë vendor, të dihet se cili është vullneti politik i një populli i cili vetëm 16 muaj më parë kishte përjetuar çlirimin pas një lufte të tmerrshme që u përmblodh me shumë viktima civile dhe me gjysmën e Kosovës të rrënuar.
Tani, në vitin 2025, zgjedhjet lokale, me gjithë specifikave të veta të cilat i dallojnë ato prej zgjedhjeve të përgjithshme (kemi të bëjmë, si thuhet, me dy lloje të ‘sporteve’), do të jenë një test shumë i veçantë, pikërisht për shkak të rrethanave të njohura për të gjithë kur kemi në konsideratë pushtetin qendror të vendit dhe mundësinë (reale), që së shpejti të shkojmë sërish në qendrat e votimit, për të votuar për përbërjen e legjislacionit të dhjetë të Kosovës.
Në të vërtetë, kur dihet se në ç’mënyrë apo me cilat procedura zgjedhet Presidenti/ Presidentja e Kosovës, kur kërkohet një shumicë e kualifikuar prej tetëdhjetë deputetësh vetëm për ta filluar ndërmarrjen e zgjedhjes së tij/ saj, atëherë, votimet e reja (të parakohshme) për Kuvendin e Kosovës janë të pashmangshme.
Në anën tjetër, raportet në mes të partive/ subjekteve politike në vend, në këtë periudhën pas zgjedhore, prej muajit shkurt e tutje, kanë përjetuar një tensionim të ri, i cili ka bërë të thuash të pamundur çfarëdo bashkëpunimi cilësor i cili do t’i mblidhte numrat e deputetëve për ta krijuar pushtetin e ri ekzekutiv.
Por, kur bëhet fjala për zgjedhjet lokale, për rrethin e dytë të tyre për postin e kryetarit të komunave (i cili duket i pashmangshëm në një numër të komunave shumë të rëndësishme), duket që bashkëpunimi ndërpartiak është i domosdoshëm.
Po del pra që zgjedhjet lokale të 12 tetorit janë shumëfish të rëndësishme për zhvillimet politik në Kosovë