Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj duke folur për zgjedhjet komunale, ka bërë të ditur se ka zhvilluar diskutime me kryetarët e partive opozitare, në këtë rast me Lumir Abdixhikun dhe Memli Krasniqin.
Ai deklaroi se AAK-ja është e hapur për të diskutuar me komuna të tjera ku nuk janë në garë, duke lënë hapësirë bashkëpunimi edhe me VV-në, transmeton Klankosova.tv.
“Jemi të hapur për të diskutuar situatën me komunat e tjera ku ne nuk jemi në garë. Kam zhvilluar komunikim me kryetarët e partive opozitare, Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun, të shohim si do të bashkëpunojmë. Kemi një traditë që edhe degët marrin vendime, dhe ajo traditë vazhdon. Në rast se dega ka interes ose qëllim një partneritet me VV-në në nivel komunal, ne nuk e prishim”, u shpreh Haradinaj për IndeksOnline.
“Aty ku nuk garojmë njëri kundër tjetrit ka interes me bashkëpunu nga të gjithë, nga unë dhe kryetarët e respektuar. Kemi pasur edhe në të kaluarën në bashkëqeverisje me VV-në në nivel komunal në Kamenicë dhe Podujevë. Tani nuk iu ndërhyjmë në këto marrëdhënie, marrëdhëniet e nivelit komunal janë diçka që i kemi respektuar edhe në të kaluarën. Nuk jemi shkaktar të fitores së VV-së, VV-ja ka fituar vet. Kryetarët kanë fituar vetë. Nuk e ndryshojmë gjendjen, nuk jemi ata që ia japim fitoren VV-së në këtë rast. Kryetarët e VV-së në këto komuna kanë fituar, por për asamble kanë nevojë për shumicë dhe kemi bashkëqeverisë edhe në të kaluarën”, shtoi ai.