11 vite më parë, ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa ishte kandidat për ta vazhduar pozitën e tij si i pari i kryeqytetit. Ai nuk i bënte ‘’hesap’’ kundërkanditatët e tij, madje në një intervistë atë kohë tha se Prishtinën e fiton me “duar në xhepa”.
‘’Jam shumë i sigurt që edhe nëse i shtim duart në xhepa deri në fund të vitit të ardhshëm dhe nuk punojmë asgjë, prapë do ta fitonim Prishtinën, sepse çdo gjë që e kemi punuar deri më tash e kemi bërë për interesin e qytetarëve”, kështu kishte thënë Mustafa në një intervistë për Radio Dukagjinin.
11 vite më vonë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si duket ka zgjedhur një rrugë pothuajse të ‘njëjtë’ me Isa Mustafën.
Sa herë që kritikohet nga opozita ose vihet në pikëpyetje puna e tij si kryeministër, Kurti përdor ‘refrenin’ e partisë së tij kundër opozitës: Ejani shkojmë në zgjedhje.
Ironia me ‘zgjedhjet’ ka filluar qysh kur Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje fituan 51% të votave në zgjedhjet qendrore. Fillimisht, ishte kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili në një intervistë ishte shprehur i bindur për t’i kërkuar zgjedhje opozitës.
‘’Hajde krejt bashkë, dorë për dore në podium. Çu në zgjedhje”, kishte deklaruar Konjufca, duke u bërë kështu viral me deklaratat e tij.
Bindja se gjithmonë do të fitonin më shumë vota në zgjedhje, e ka përcjell Qeverinë Kurti edhe dy vite pas ardhjes në pushtet.
Kohë pas kohe, vet kryeministri Kurti e ka theksuar se po të shkonin në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje fiton edhe më shumë përqindje të votave. Një gjë të tillë e bëri edhe sot Kurti, kur në një konferencë për media përsëriti ‘refrenin’ tashmë të njohur për opinionin publik. Por, kësaj radhe Kurti shkoi pakëz më larg, duke thënë se nëse shkohet në zgjedhje, opozita do të ‘zhduket’.
“Kam dëgju që opozita herë kërkon dorëheqjen time, herë kërkon shkarkimin tim, e herë kërkon zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse i humbë. E qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita! Unë jam i interesuar që ta mund në zgjedhje opozitën por jo që ta zhduk!” deklaroi kryeministri, duke nxitur reagime të shumta në publik.
Pas tij, me deklaratën e Kurtit ironizoi edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili në një postim në Facebook shkroi: A po shkojmë në zgjedhje?
Kujtojmë se sigurinë e njëjtë për shkuarjen në zgjedhje e kishte pasur edhe ish-lideri i LDK-së, Isa Mustafa sa ishte kryetar i Prishtinës, por fiks në vitin kur ishte shprehur tejet i sigurt për fitore, të njëjtat i kishte humbur.
Mbetet të shihet nëse vetëbesimi i tepërt do t’i dal i gabuar Kurtit në të ardhmen, ndërsa deri më tani, ai po vazhdon me deklarata të tilla pa ‘therrë në këmbë.