Zgjedhjet eventuale të pranverës së vitit 2026 mund të jenë ndër më të paparashikueshmet në historinë e pasluftës në Kosovë. Analisti politik Shenoll Muharremi, duke analizuar të dhënat dhe trendet e fundit të matjeve të opinionit publik, parasheh mundësinë e një ndryshimi rrënjësor në balancën e forcave politike.
Sipas tij, nëse vazhdon dhe konfirmohet trendi aktual i rënies mesatare mujore prej 0.87 pikë përqindje, atëherë Lëvizja Vetëvendosje mund të bjerë deri në 29.5% deri në mars të vitit 2026. Me një rezultat të tillë, nëse mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme – për shembull rreth çështjes së presidentes – ekziston rreziku real që LVV të humbasë pushtetin.
“LVV nuk ka më frymën e dikurshme, dhe koha nuk po punon më në favor të saj,” thotë Muharremi, duke kujtuar se kjo parti kishte arritur kulmin me 50.2% në zgjedhjet e vitit 2021, por është në rënie të vazhdueshme. Ai thekson se tri matjet e fundit (Omnibus shtator, dhjetor dhe mars) do të jenë kyçe për të konfirmuar këtë trend.
Sipas Muharremit, nëse Vetëvendosje nuk ndryshon drejtimin dhe vazhdon me qasjen e saj bllokuese ndaj institucioneve – për të cilën, sipas Omnibus, 80% e qytetarëve e fajësojnë për bllokadën në Kuvend – atëherë mbështetja e saj mund të bie edhe më tej, në nivelet prej 20%-25%.
Ai vlerëson se LDK mund të përfitojë më së shumti nga kjo rënie, siç ndodhi në vitin 2022 kur e kaloi PDK-në dhe u bë partia e dytë. Një tjetër faktor potencialisht transformues në zgjedhjet e ardhshme është hyrja e mundshme në garë e presidentes Vjosa Osmani, e cila sipas Muharremit është politikanja më e aprovuar në publik. “Nëse Osmani garon me një subjekt apo ekip të sajin, ajo më së shumti do të ndikojë te elektorati i LDK-së dhe LVV-së,” paralajmëron ai.
Por, një skenar interesant që paraqet Muharremi është edhe mundësia që LDK të integrojë Vjosa Osmanin në radhët e saj, dhe bashkë me fuqizimin e figurave si Hykmete Bajrami, të ketë potencialin të dalë partia e parë. Megjithatë, ai e konsideron këtë si pak të mundur për shkak të rezistencës brenda partisë ndaj një rikthimi të Osmanit dhe faktit që Bajrami është margjinalizuar në listat e fundit.
Kjo situatë, sipas Muharremit, hap derën për PDK-në, por vetëm nëse ajo përmbush disa kushte:
1. Reforma të thella të brendshme, veçanërisht në degë, program dhe përfaqësim gjinor dhe rinor;
2. Ofrimi i zgjidhjeve konkrete për sfidat e mëdha të Kosovës si energjia, inflacioni, migrimi, diplomacia dhe investimet – gjë që aktualisht mungon;
3. Kandidimi i Bedri Hamzës për kryeministër, i cili ka dyfish më shumë përkrahje se partia e tij dhe perceptohet si figurë e matur dhe e përshtatshme për të udhëhequr në këtë periudhë të krizës ekonomike.
“Çka ndodhë saktësisht askush nuk e di, dhe varet nga shumë faktorë,” thotë Shenoll Muharremi, por përfundon duke theksuar se nëse trendet vazhdojnë dhe palët nuk ndërmarrin veprime të guximshme, rezultati i zgjedhjeve të 2026 mund të jetë i papritur dhe transformues për të gjithë skenën politike në Kosovë.