0.8 C
New York
Wednesday, December 10, 2025

Buy now

Zgjedhjet e parakohshme: Lëvizja Vetëvendosje me më së shumti kandidatë me aktakuza aktive

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të kandidatëve për deputetë me aktakuza aktive.

Gjithsej janë 7 nga 110 kandidatët që garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Shumica prej tyre janë për akuzat e vjetra, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend para 10 vitesh.

Ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, e ish-ministrat Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Arbërie Nagavci e ish-deputetët Fitore Pacolli e Salih Zyba, janë duke u përballur ende me akuzat për hedhje të gazit lotsjellës.

Pjesë e kësaj liste tash është edhe Rozeta Hajdari, e cila ka aktakuzë për keqpërdorim detyre në rastin e rezervave shtetërore.

Dy kandidatë për synojnë ulësen e deputetit, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë aktakuza aktive, të dy për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Pal Lekaj sa ishte në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, akuzohet për aferën e quajtur “53 milionëshi”, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Ai ishte i dënuar me vendim të shkallës së parë, porse Apeli e ka kthyer në rigjykim, shkruan Dukagjini.

Me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, se kishte punësuar në baza partiake në kompaninë “Eko Regjioni” në Prizren, është duke u përballur edhe Besnik Krasniqi kandidat për deputet nga kjo parti.

Edhe dy ish-ministrat e NISMA-s, janë pjesë e listës për kandidat për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Endrit Shala e Vesel Krasniqi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa kishin qenë në krye të Ministrisë se Industrisë e Tregtisë ku dyshohet se me udhëzim administrativ i janë hequr kompetencat Doganës për të bërë vlerësimin e cilësisë së naftës që futej në Kosovë, dhe duke ia kaluar kompetencat operatorëve privat.

Listës së Partisë Demokratike Turke të Kosovë, me numrin një i prin Fikrim Damka, i cili ishte edhe pjesë e kabinetit qeveritar, në pozitë e ministrit të Zhvillimit Rajonal.

Damka aktualisht është duke u përballur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare së bashku me ish-ushtruesin e detyrës së sekretarit në MZHR, Besim Kamberaj.

Megjithatë në listat e kandidatëve për legjislaturën e dhjetë të Kuvendit, ka edhe persona të dënuar nga Gjykata Themelore, siç janë kandidati i PDK-së, Shkumbin Demaliaj e Çelë Gashi e ai i AAK-së, Agim Çeku, të tre të shpallur fajtorë në rastin e veteranëve.

Për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë në garë 1 mijë e 181 kandidatë për deputetë nga 24 subjekte politike.

Ndërkohë, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton se një kandidat nuk mund të certifikohet nëse në tri vjetet e fundit ka dënim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me së paku një vit burgim efektiv.

Të ngjashme

Të fundit