Vetëm katërmbëdhjetë ditë mbeten deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa partitë politike tashmë kanë prezantuar sloganët e tyre zgjedhorë për këtë garë vendimtare.
Partia Demokratike e Kosovës ka përqëndruar mesazhin në frymën integruese me moton “BASHKË. PËRPARA.”, duke e projektuar unitetin qytetar si katalizatorin kryesor të progresit.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës artikulon një ofertë të trefishtë përmes sloganit “Zgjidh shpresën. Zgjidh punën. Zgjidh LDK-në”.
Një qasje më të thjeshtë ka prefesuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke theksuar mbështetjen për qytetarët me sloganin “Krah Teje”.
Vetëvendosja, nga ana tjetër, garon në zgjedhjet e 28 dhjetorit me sloganin “Siguri dhe begati – Mos lësho pe”.
Presidentja Osmani caktoi datën 28 dhjetor si datë që e konsideroi “të përshtatshme” për t’i dhënë kohë diasporës të regjistrohet dhe të votojë, ndonëse kjo zgjedhje u prit me kundërshtim nga shumica e partive politike.
Fushata zgjedhore fillon zyrtarisht më 17 dhjetor dhe përfundon më 27 dhjetor, duke lënë hapësirë të kufizuar për mobilizimin e elektoratit.
Kriza politike dhe ekonomike
Mungesa e qeverisë ka prodhuar pasoja reale. Kosova po shkon drejt zgjedhjeve pa buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe pa ratifikuar një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare me vlerë rreth 200 milionë euro
Vonesa në formimin e qeverisë kanë ngritë mbi një miliard euro fonde nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe donatorë të tjerë.
Nga ana tjetër të dhënat më të fundit të ASK tregojnë spirale të frikshme të inflacioni, i cili është gati katërfishuar brenda njëmbëdhjetë muajve.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregon përshkallëzim të çmimeve: nga një normë vjetore prej 1,5 për qind në janar, inflacioni pothuajse u katërfishua, duke arritur në 5,3 për qind në nëntor, ndërsa rritja mujore në nëntor ishte 0,4 për qind.
Kjo rritje ka prekur veçanërisht ushqimet bazë, energjinë dhe një sërë shërbimesh, duke e kthyer një valë të lehtë çmimesh në fillim të vitit në një presion enorm dhe të vazhdueshëm mbi buxhetet familjare.
Sipas raportit për muajin nëntor, kulmi vjetor i rritjes u shënua pikërisht në këtë muaj, me 5,3 për qind krahasuar me nëntorin 2024. Një muaj më parë, në tetor, inflacioni vjetor ishte 5,1 për qind, me një rritje mujore 0,6 për qind.
Rritja u ushqye në masë të madhe nga produktet bazike. Pemët pësuan një rritje vjetore 16,1 për qind në nëntor dhe 15,3 për qind në tetor. Mishi u shtrenjtua duke arritur 13,7 për qind rritje vjetore në nëntor. Qumështi, djathi dhe vezët shënuan rritje dyshifrore prej 10,5 për qind në nëntor.
Energjia elektrike, nga ana tjetër, ishte një nga faktorët kryesorë të inflacionit në gjysmën e dytë të vitit. Në tetor, energjia elektrike u shtrenjtua me 20,3 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa në nëntor rritja vjetore ishte 15,5 për qind. Rritje shënuan edhe lëndët e ngurta djegëse, si drutë e zjarrit dhe peleti, me 9,6 për qind në nëntor. /Nacionale/






