Më 12 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.
Në ato komuna, ku kandidatë nuk i sigurojnë 50+1% të votave, duhet të shkohet në balotazh.
E rundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 9 nëntor.
Kështu ka deklaruar për Klankosova.tv Valmir Elezi, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Elezi deklaroi se kohëzgjatja e fushatës zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të caktohet me vendim nga KQZ-ja pasi të certifikohen rezultatet e raundit të pare, i cili do të mbahet më 12 tetor 2025.
“Secili kryetar i komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Në fletëvotim, votuesi duhet të votojë vetëm njërin nga kandidatët për kryetar të komunës. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet rundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet kryetar i komunës”, ka thënë ndër të tjera ai.
Aktualisht, kanë mbetur edhe 10 ditë deri në ditën e zgjedhjeve.