Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke theksuar se qëndrimi aktual i LDK-së është që posti i presidentit të mbulohet nga një emër i pranueshëm për të gjitha partitë politike.
Haziri theksoi se, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar fitore historike në zgjedhje dhe ka siguruar shumicën për formimin e institucioneve të reja, çështja e presidentit mbetet ende e hapur dhe kërkon konsensus politik.
Ai rikujtoi se herën e kaluar deputetët e LDK-së e kishin votuar për presidente, Vjosa Osmanin për hir të stabilitetit politik. Sipas tij, këtë herë situata është ndryshe dhe vendimi nuk do të merret në të njëjtën mënyrë.
“Për momentin qëndrimi i jonë është se duhet një emër i pranueshëm për të gjithë. Që ushtron detyrën e presidentit/tes. Ky është qëndrimi zyrtar që e kemi… realisht deputetët e LDK-në herën e kaluarën e kanë dhënë votën për stabilitet politik dhe pa inati. Dhimbja ka qenë e madhe por e kanë dhënë. Kësaj herë do ta vlerësojnë krejt ndryshe votën për president”, ka thënë Haziri.






