Murati në postimin në të cilin mori reagimin e ekonomistit të PDK-së, pretendoi se deri në fund të vitit 2022 në Kosovë janë shtuar plotë 7 mijë e 48 vende pune në sektorin e prodhimit dhe përpunimit përgjatë qeverisjes Kurti.
“Në gjithë vendin, janë 7,048 vende pune të shtuara në sektorin e prodhimit dhe përpunimit përgjatë qeverisjes sonë, deri në fund të vitit 2022. Kjo është dëshmia më e mirë se programi i qeverisë sonë për rikthim të ekonomisë drejt prodhimit po funksionon.” – ka thënë Murati.
Mustafa argumenton se, ndryshe nga pretendimi i Muratit, norma e rritjes ekonomike në Kosovë në vitin 2022 ishte vetëm 3 për qind, që është mesatarja më e ulët në dekadën e fundit. Ai ka theksuar gjithashtu se deficitit tregtar i Kosovës ka arritur vlerën më të lartë ndonjëherë.
Në lidhje me pretendimin e Muratit për shtimin e vendeve të punës, Mustafa kundërshton këtë deklaratë duke u bazuar në publikimin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i cili mbulon vetëm deri në mars 2022. Ai shtoi se ndonëse ka mundur të ketë pasur punësime të reja, ato nuk duhet të paraqiten domosdoshmërisht si shtim i vendeve të punës, pasi një pjesë e tyre mund të jenë zëvëndësime të atyre që kanë lënë vendin për shkak të ikjes jashtë vendit.
“Ministri i Financave përmes një postimi paska vazhduar me përpjekjet e tij propagandistike për të paraqitur një situatë të lulëzimit të ekonomisë së Kosovës. Këtë “lulëzim” të ekonomisë si duket po e sheh vetëm ai dhe Kryeministri, që në vend të punës si duket kanë zgjedhur propagandën si rrugë më të lehtë për të mbushur mandatin e tyre qeverisës. Ministri i Financave flet për lulëzim të prodhimit, ndërsa norma e rritjes ekonomike prej rreth 3% është më e ulët sesa mesatarja e dhjetë viteve të fundit, ndërsa deficiti tregtar prej 4.3 miliardë euro ka arritur vlerën më të lartë të shënuar ndonjëherë. Shtrohet pyetja ku po shkon ky prodhimi qe po e përmend Ministri?!” – ka shkruar Mustafa.
Sa i përket punësimit, ai tha se derisa Murati po flet për shtimin e vendeve të reja të punës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila prezanton matjet zyrtare të punësimit dhe papunësisë, publikimin e fundit e ka vetëm deri në mars të vitit 2022.
Ish-kryeekonomisti në përmbyllje të argumentimit duke thënë se emigrimi ka arritur nivele rekorde në Kosovë me rreth 107 mijë vetë që kanë lënë vendin në dy vitet e para në pushtet të qeverisë Kurti.
“Flet për rritje të punësimit, ndërsa publikimi i fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës që paraqet matjet zyrtare të punësimit dhe papunësisë (Anketa e Fuqisë Punëtore) mbulon periudhën vetëm deri në Mars 2022. Asnjëherë më parë nuk kemi pasur ndalesa të tilla të publikimeve zyrtare për tregun e punës!” – ka thënë tutje ai.
“Punësime të reja mund të ketë pasur, por ato jo domosdoshmërish paraqesin vende të reja të punës, pasi që një pjesë e këtyre punësimeve të reja mund të jenë zëvendësime për ata që po e lëshojnë Kosovën në këtë kohë kur emigrimi ka arritur nivele rekorde. Rreth 107 mijë vetë e kanë lëshuar Kosovën në dy vitet e para në pushtet të kësaj qeverie. Për fund, fjala e përdorur më së shumti në postimin e Ministrit të Financave ishte fjala subvencion. Kjo tregon se politika kryesore ekonomike e kësaj Qeverie janë subvencionet, pra shfrytëzimi i taksave të qytetarëve dhe bizneseve për ti dhënë para disa qytetarëve dhe bizneseve, por pa ndonjë ide për të krijuar kushte afatgjata për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rritje të standardit të jetesës në vend.” – ka thënë Mustafa.