Rrjeti i Organizatave Jo-qeveritare AVONET shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me ngjarjen skandaloze dhe të papranueshme që ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, në Ferizaj, ku Zëvendës Drejtori i organizatës sonë është ndalur dhe më pas është kërcënuar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, pa asnjë dyshim të arsyeshëm, pa ndonjë arsye ligjore dhe në kundërshtim flagrant me të gjitha standardet demokratike dhe të drejtave të njeriut. Gjithashtu, zyrtarët policor kanë përdorur edhe forcë fizike joproporcionale me rrethanat e rastit. Këto veprime përbëjnë një abuzim të rëndë me detyrën, një akt të qartë të frikësimit institucional dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj zërit të shoqërisë civile që mbron të drejtat dhe interesin publik. Zyrtarët policor në mënyrë të habitshme ju janë drejtuar Zëvendës Drejtorit të AVONET, me fjalët “ T’çaj veç e hap gojën edhe ni herë”.
Zyrtarët policorë në fjalë, me deklaratat e tyre, kanë pranuar hapur se ndalimi i dy anëtarve të AVONET-it është bërë pa ndonjë dyshim të arsyeshëm, gjë që vetëm sa e rëndon më tej situatën dhe dëshmon se në Policinë e Kosovës ka individë që operojnë jashtë kontrollit ligjor dhe etik, sepse ndalja nga Policia e Kosovës sipas ligjit pozitiv për policinë mund të bëhet vetëm me rastin e ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm. Kërcënimi ndaj një përfaqësuesi të një organizate të shoqërisë civile është jo vetëm i papranueshëm në një shtet që aspiron të ndërtojë demokraci funksionale, por përbën edhe vepër penale të dënueshme sipas, nenit 181 (kanosja) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kjo sjellje është pasqyrë e një kulture të rrezikshme të pandëshkueshmërisë dhe arrogancës institucionale, e cila duhet të marrë fund menjëherë.
AVONET kërkon me urgjencë që Inspektorati Policor i Kosovës të nis hetim të pavarur dhe të gjithanshëm për këtë rast, ndërsa Prokuroria urgjentisht të trajtojë këtë rast dhe të veprojë konform ligjit, duke e hetuar rastin në drejtim të kryerjes së këtyre veprave penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe kanosjes. Njëkohësisht, kërkojmë që zyrtarët e përfshirë të suspendohen menjëherë nga detyra deri në përfundimin e hetimeve. Policia e Kosovës duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme për edukimin dhe trajtimin profesional e psikologjik të zyrtarëve policorë, sepse sjellje të tilla përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë dhe shumë serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë juridike të qytetarëve të Kosovës.