Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka deklaruar se nuk ka vullnet që të rikandidojë për kryetar në qoftë se mbahen zgjedhjet e reja në veri të vendit.
Zeqiri nga radhët e PDK-së ka thënë se nuk do të merrte pjesë në zgjedhje si pasojë e sfidave që i ka sjellë situata e tensionuar pas marrjes së mandatit.
“Jo, nuk kam vullnet edhe aq. Për shkaqe që ja edhe kjo situatë na sjelli shumë sfida. Nganjëherë besoj që mund të jem i papranueshëm, këtu çështjet janë më të mëdha në prapavijë, ka diçka përtej zgjedhjeve.” – ka deklaruar ai.
Zeqiri në Tëvë1 ka deklaruar se nuk dëshiron të jetë një akter, i cili është i papranueshëm për qytetarët e Komunës së Zubin Potokut.
“Unë nuk po dua të mendoj nga ajo që unë mund të jem një akter i papranuar sikur që nuk dua të ia dhuroj vetit të drejtën që nesër do të jetë dikush i papranuar për mua, ta themi radhët e Listës Serbe, sepse rezulton me diçka që është edhe më negative të një ndarje etnike. Unë nuk dua të mendoj ashtu, mirëpo vërtetë kjo situatë qe sfiduese.” – ka thënë Zeqiri.