Janë dy vite të humbura për Kosovën. Deklaroi kështu deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, në dyvjetorin e fitores së Vetëvendosjes në Zgjedhjet Parlamentare.
Zemaj pretendoi se Qeveria Kurti në sfera të ndryshme në praktikë ka shumë ngecje e dështime.
“Kemi parë një Qeveri inerte në kuptimin funksional. Një Qeveri e cila ashtu siç ka hyrë pa program dhe pa një platformë të qartë politike, vetëm me parulla dhe demagogji populiste, ndërsa në praktikë, shumë ngecje, dështime, skandale të ndryshme. Por, ajo që e determinon është paaftësia e Qeverisë, paaftësia e tyre për ta ushtruar mandatin ekzekutiv. Janë dy vite të humbura për Kosovën. Fatkeqësisht janë dy vite të cilat në shumë sfera, e sidomos në ekonomi, mirëqenien sociale, sektorin e energjisë, sektorin e tatimeve, sektorin e pagave së fundmi, politikës së jashtme dhe brendshme, ka degradime”, deklaroi Zemaj në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
I pyetur se cili është gabimi më i madh i Qeverisë Kurti, Zemaj tha se është paaftësia e tyre.
“Këta njerëz nuk janë të aftë për të udhëhequr në pozitat që ushtrojnë”, theksoi tutje Zemaj në Tëvë1.
Kujtojmë se sot PSD ka mbajtur një aksion simbolik, aktivistë të këtij subjekti kanë ngjyrosur me ngjyrë të verdhë objektin e Qeverisë së Kosovës, duke nënkuptuar që pushteti “nuk ia ka bërë vijë” për dy vjet qeverisje./teve1.info/.