Lidhja Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje diasporës që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 28 dhjetor në Kosovë, teksa në konferencë për media ish-deputeti Armend Zemaj foli edhe për bisedimet që janë bërë mes kryetari Lumri Abdixhiku dhe atij të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, raporton EO.
Ish-deputeti i LDK-së Armend Zemaj duke iu referuar diskutimeve që ndodhën në mbledhjen e KQZ-së një ditë më parë, tha se procesi i votimit të mërgatës është proces i shtetit dhe jo i partive politike.
“LDK e mirëpret këtë proces dhe e vlerëson si pjesë të pandashme të funksionimit të një demokracie transparente dhe gjithëpërfshirëse. Të gjithë qytetarët tanë që jetojnë në mërgatë dhe që nuk kanë mundësi të jenë në Kosovë në ditën e zgjedhjeve i ftojmë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Zëri i tyre ka vlerë, vota e tyre ka peshë dhe pjesëmarrja e tyre është e domosdoshme për të ardhmen e vendit tonë. Fatkeqësisht këto ditë jemi dëshmitar të përpjekjeve për të ushtruar presion dhe ndikim politik mbi procesin e votimit të mërgatës duke u përpjekur që të pengohet miratimi i buxhetit të domosdoshëm për administrimin e këtij procesi. Ne i bëjmë thirrje VV-së që të qëndrojë larg çdo tentative për ndërhyrje në këtë proces, preson apo bllokim qoftë përmes postës, qoftë përmes votimit në konsullata apo ambasada. Procesi i votimit të mërgatës është proces i shtetit e jo i partive politike, respektimi i tij është obligim institucional dhe jo opsion politik. Mërgata e Kosovës ka qenë gjithmonë shtylla e proceseve tona shtetndërtuese, në ditët më të vështira mërgata ishte krah nesh, në momentet më vendimtare ishte zëri i arsyeshëm dhe i vendosur për të mirën e vendit tonë”, tha Zemaj.






