Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar në lidhje me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator.
Zemaj e ka quajtur regjim të kuq, qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, për herë të parë në Kosovën e lirë, siç shkruan ai, regjimi i kuq i dënoi mësimdhënësit grevist me ndalje të pagës.
Ai tutje tha se regjimi i kuq nuk është zgjidhje, sepse për krejt është i padrejtë.
Postimi i Zemajt:
Regjimi i kuq, injorues, dështues dhe dënues.
Sot, për herë të parë në Kosovën e lirë, regjimi i kuq i dënoi mësimdhënësit grevist me ndalje të pagës.
Në vend të urimit për një fillim të mbarë të vitit shkollor, edhe pse të vonuar pikërisht nga qeverisja e paaftë dhe grindavece, mësuesit po privohen nga të drejtat e tyre elementare, ngase po iu ndalet buka e gojës.
Regjimi i kuq; nxënësit i dënoi me humbje të mësimit, prindërit me ç’rregullim të organizimit familjar, ndërsa mësuesit me ndalje të bukës së gojës.
Regjimi i kuq nuk është zgjidhje, sepse për krejt është i padrejtë.