Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin britanik Keir Starmer, ku janë diskutuar “përpjekjet e përbashkëta diplomatike” dhe planet për një takim të “Koalicionit të Vullnetit” në Romë, i cili pritet të mbahet “brenda disa ditësh.”
“Po punojmë që vendimet që do të merren të jenë sa më të forta,” ka thënë Zelensky.
Tutje, përmes X, ai ka shtuar se Starmer i shprehu ngushëllimet për sulmet e vazhdueshme ruse mbi Ukrainën, ndërsa kanë diskutuar edhe për mënyrat e tjera për të mbështetur vendin e tij.
“Diskutuam gjithashtu për financim shtesë që do t’i jepet këtë muaj prodhimit vendas të dronëve në Ukrainë, kryesisht për dronët interceptues,” është shprehur Zelenskyy.
Lideri ukrainas ka përmendur poashtu se janë dakorduar të punojnë për forcimin e formateve të tjera të bashkëpunimit me partnerët kryesorë, veçanërisht formatin Ramstein, me fokus në mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe përmirësimin e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.