Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi të enjten Sumyn, një rajon në verilindje të vendit. Ky është udhëtimi i tij i parë pranë kufirit me Rusinë, që kur trupat e Kievit organizuan një inkursion të fshehtë në rajonin Kursk, në fillim të gushtit.
Zelensky u takua me kolonel gjeneralin Oleksandr Syrskyi dhe më pas deklaroi se forcat ukrainase kanë marrë kontrollin e një vendbanimi tjetër në Kursk të Rusisë si dhe kanë kapur edhe më shumë robër lufte rusë, të cilët ai shpreson t’i shkëmbejë me ukrainasit e kapur nga Moska.
Ai i quajti robërit rus si “fondin e këmbimit” të Ukrainës.
Por përparimi i Kievit në Kursk, kapja e parë e një territori rus që nga Lufta e Dytë Botërore, kanë ardhur pasi Ukraina vazhdon të humbasë terren në rajonin e saj lindor, atë të Donetskut.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të enjten se ushtria e saj kishte marrë kontrollin e fshatit Mezhove.
Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi të enjten Ukrainën se po përpiqet të sulmojë stacionin bërthamor të Kurskut. Por udhëheqësi i Kremlinit nuk paraqiti asnjë provë mbi pretendimet e tij dhe nuk dha detaje të mëtejshme mbi sulmin e supozuar.
Ofensiva në Rusi ishte e para për Ukrainën në dy vjet e gjysmë luftë. Ukraina ka vënë shpesh në shënjestër objektet ushtarake ruse që përdoren për të drejtuar sulme me dronë dhe raketa kundër Ukrainës.
Zyrtarët në rajonin e Volgogradit të Rusisë jugore thanë të enjten se një dron ukrainas goditi një objekt ushtarak duke shkaktuar zjarr.
Ukraina mori përgjegjësinë për sulmin.