Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka uruar Donald Trumpin për marrjen e detyrës së presidentit të SHBA-së, duke u shprehur se sot është ditë ndryshimi dhe ditë shprese “për zgjidhjen e më shumë problemeve”.
Ai ka shkruar në rrjetin social X se Trump është gjithmonë vendimtar, derisa tha se paqja nëpërmjet politikës së forcës “që ai e shpalli ofron mundësi për të forcuar udhëheqjen amerikane dhe për të arritur një paqe afatgjate”.
“Ky shekull po formohet pikërisht tani dhe ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për të siguruar që ai të jetë një shekull i madh dhe i suksesshëm për demokracitë, jo për ata që duan që ne të dështojmë. Ju urojmë suksese, presidenti Trump! Ne presim një bashkëpunim aktiv dhe reciprokisht të dobishëm. Ne jemi më të fortë së bashku dhe mund të ofrojmë siguri, stabilitet dhe rritje ekonomike më të madhe për botën dhe dy kombet tona”, ka shtuar Zelensky në urimin e tij.