Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kievi është “i gatshëm” të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për të biseduar për arritjen e një armëpushimi, duke e quajtur “sinjal pozitiv” për përfundimin e luftës thirrjen e Moskës për bisedime të drejtpërdrejta.
Zelensky shkroi në X të dielën se është “sinjal pozitiv që rusët më në fund kanë filluar të mendojnë për përfundimin e luftës”, duke shtuar se “hapi i parë i domosdoshëm” është arritja e një marrëveshjeje për armëpushim.
Disa orë më parë, gjatë një konference për shtyp në Moskë, Putini e shpërfilli thirrjen për një armëpushim të shpejtë 30-ditor në luftën në Ukrainë dhe, në vend të saj, kërkoi të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta dhe “pa parakushte” me Ukrainën, mbase në Stamboll më 15 maj.
Pa përmendur drejtpërdrejt thirrjen për armëpushim, Putin propozoi “rifillimin” e bisedimeve për paqe, që u zhvilluan mes Rusisë dhe Ukrainës në prill të vitit 2022 – pak javë pasi Rusia e kishte filluar pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt.
“Ne jemi të vendosur të zhvillojmë bisedime serioze. Qëllimi i tyre është t’i eliminojnë shkaqet rrënjësore të konfliktit… dhe të sjellin paqe afatgjatë, të qëndrueshme në një perspektivë historike”, tha Putin, i cili shpesh ka përdorur shprehje të tilla për t’i kundërshtuar synimet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe për të theksuar qëndrimin e tij që Kievi të mbetet neutral.
Putin tha se së shpejti do të flasë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për të kërkuar ndihmën e tij për t’i ndërmjetësuar bisedimet në Stamboll.
“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë që, gjatë këtyre bisedimeve, të arrijmë ndonjë marrëveshje për një armëpushim të ri”, shtoi Putin.
Zelensky tha se “nuk ka kuptim të vazhdohet vrasja as edhe për një ditë të vetme”, duke shtuar se “ne presim që Rusia ta konfirmojë armëpushimin – e plotë, qëndrueshëm dhe besueshëm – duke filluar nga nesër, 12 maji, dhe Ukraina është e gatshme të takohet”.
Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrat britanik dhe polak, Keir Starmer dhe Donald Tusk, njoftuan propozimin për një armëpushim nga 12 maji, pasi u takuan në Kiev më 10 maj.
Ata e paralajmëruan Moskën se do të përballej me sanksione “të mëdha” nëse nuk do ta pranonte armëpushimin e propozuar.
“Pra, të gjithë ne këtu së bashku me SHBA-në po i bëjmë thirrje Putinin. Nëse ai e merr seriozisht paqen, atëherë ka një shans ta tregojë këtë”, tha kryeministri britanik Keir Starmer në një konferencë për shtyp.
“Nuk ka më as nëse e as por, mjaft më me kushte dhe vonesa”, shtoi ai.
Disa orë pas komenteve të Putinit, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në llogarinë e tij në Truth Social se kjo është “ditë mbase e shkëlqyer për Rusinë dhe Ukrainën!”
“Mendoni për qindra mijëra jetë që do të shpëtohen, nëse kjo ‘gjakderdhje’ e pandalshme më në fund përfundon” shtoi ai.
“Do të jetë një BOTË krejtësisht e re dhe shumë më e mirë. Do të vazhdoj të punoj me të dyja palët për t’u siguruar që kjo të ndodhë”, theksoi Trump.
Macron, duke folur nga qyteti kufitar polak Przemysl pas kthimit nga Kievi, e përshkroi ofertën e Putinit për bisedime të drejtpërdrejta si “hap i parë, por jo i mjaftueshëm”
“Një armëpushim pa kushte nuk paraprihet nga negociatat”, u tha ai gazetarëve.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë britanike, ata ritheksuan mbështetjen e tyre për thirrjen e presidentit Trump për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës dhe i bënë thirrje Rusisë “ta ndalë pengimin e përpjekjeve për të arritur paqe të qëndrueshme”. /REL/