Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar vendit të tij garanci sigurie për 15 vjet gjatë bisedimeve rreth një plani të rishikuar të paqes me presidentin amerikan, Donald Trump, të dielën në Florida.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se një marrëveshje për këtë pikë është “afro 95 për qind” e kryer, por presidenti ukrainas ka thënë se do të donte garanci të sigurisë që do të zgjasnin deri në 50 vjet, raporton televizioni BBC.
Rusia në të kaluarën ka refuzuar pjesë kyçe të këtij plani, por një zëdhënës i Kremlinit u pajtua të martën me vlerësimin e Trumpit se paqja është më afër, sipas një raporti të agjencisë shtetërore ruse të lajmeve “Tass”.
Duke folur para gazetarëve në resortin e Trumpit pas takimit të së dielës, Zelensky e përsëriti besimin e tij se një marrëveshje e përgjithshme e paqes është 90 për qind e përfunduar. Ai e kishte përmendur këtë përqindje edhe para vizitës në ShBA.
Dy udhëheqësit gjithashtu kanë lënë të kuptohet se ka pasur progres në një pikë kyçe të ngërçit – garancitë e sigurisë për Ukrainën. Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se Zelensky shpreson që garancitë e sigurisë do të hynin në fuçi në momentin kur Kievi do ta nënshkruante marrëveshjen e paqes.
“Pa garanci të sigurisë, lufta nuk mund të cilësohet vërtet si e përfunduar. Ne nuk mund të pranojmë se ka përfunduar, sepse me një fqinj të tillë, mbetet rreziku për aggression të përtërirë” – shpjegoi Zelensky.
Ai shtoi se dëshiron që Shtetet e Bashkuara ta shqyrtojnë mundësinë për garanci të sigurisë që do të zgjasnin “30, 40, 50 vjet”.
Uashingtoni nuk e ka komentuar akoma këtë kornizë kohore. Të dielën, Trumpi tha se një marrëveshje është afër dhe se ai pret që aleatët evropianë “të marrin përsipër një pjesë të madhe” të përpjekjeve, me mbështetjen nga ShBA-ja.






