27.7 C
New York
Tuesday, August 12, 2025

Buy now

Zelensky thotë se Rusia po bën lëvizje që tregojnë përgatitje për ofensivë të re

- Advertisement -

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se ushtria ruse nuk është duke u përgatitur për t’i dhënë fund luftës, por “po bën lëvizje që tregojnë përgatitje për operacione të reja të ofensivës”, përderisa i falënderoi udhëheqësit e vendeve të BE-së për mbështetjen.

Në një shkrim të publikuar në rrjete sociale, Zelensky tha se është jetike që uniteti i pikëpamjeve “të mos rrezikohet”, ndërsa iu bëri thirrje partnerëve për t’i vënë më shumë presion Rusisë, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke ua dhënë mbështetjen planeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për samitin me homologun rus, Vladimir Putin, Zelensky tha: “Vërtet, ne të gjithë e përkrahim vendosmërinë e presidentit Trump dhe ne së bashku duhet t’u japim formë pozicioneve që nuk do ta lejojnë Rusinë që ta mashtrojë botën edhe një herë.”

Ai shtoi: “Për aq gjatë sa ata i vazhdojnë luftën dhe pushtimin, të gjithë ne së bashku duhet ta mbajmë presionin tonë – presionin e forcës, presionin e sanksioneve, presionin e diplomacisë. E falënderoj secilin që po ndihmon. Paqe përmes forcës.”

Pasi u takua me homologët e tij, ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, i tha transmetuesit publik ZDF të hënën vonë se evropianët “po qëndrojnë ngushtë së bashku” dhe, si rezultat, ata “do të dëgjohen” në Uashington e në Moskë.

“Është me rëndësi që Trumpi ta dëgjojë zërin evropian dhe është mirë që Gjermania po e bën atë të dëgjohet. Evropianët bartin shumë peshë, sepse ata kanë pozicion të përbashkët” – tha kryediplomati gjerman.

Të ngjashme

Të fundit