Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të shtunën se gati 60% e armëve të përdorura nga ushtria e Ukrainës ishin prodhuar në vendin e vet, duke tejkaluar tashmë një objektiv që ai vendosi dy muaj më parë.
“Gjatë kësaj lufte, Ukraina ka arritur në pikën ku gati 60% e armëve që kemi, armët në duart e ushtarëve tanë, janë prodhuar në Ukrainë”, tha Zelenskiy në videoadresimin e tij të mbrëmjes.
“Dhe këto janë armë të fuqishme, me shumë karakteristika të përparuara.”
Zelensky dhe zyrtarë të tjerë kanë theksuar prej kohësh rritjen e prodhimit vendas të armëve si një element kyç në sigurimin e mbrojtjes së ardhshme të Ukrainës.
Në fjalimin e tij, ai gjithashtu vuri në dukje një projekt të përbashkët për të ndërmarrë prodhimin e armëve në Danimarkë.
Presidenti në korrik i bëri thirrje qeverisë së tij të riformuar të marrë masa për të rritur prodhimin e armëve të prodhuara në Ukrainë në më shumë se 50%.
Ai tha atëherë se armët e prodhuara në Ukrainë përbënin rreth 50% të atyre të përdorura në front dhe në operacione të tjera, më e lartë se në çdo kohë tjetër që nga pavarësia nga sundimi sovjetik në vitin 1991.
Ukraina është përqendruar në prodhimin e dronëve dhe në sigurimin e mbrojtjes ajrore për t’iu kundërvënë sulmeve intensive të Rusisë me dronë dhe raketa në qytetet ukrainase, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv