Presidenti i Ukrainës mund të shkojë në Uashington që këtë javë për t’u takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump për të diskutuar planin që mund t’i japë fund pushtimit të Ukrainës nga Rusia, sipas disa raporteve të medias që citojnë zyrtarë ukrainas dhe amerikanë të njohur me procesin.
Pas fazës së parë të negociatave në Gjenevë gjatë fundjavës, Volodymyr Zelensky tha se delegacioni ukrainas do të kthehej në Kiev të hënën në mbrëmje me një “raport të plotë”.
“Bazuar në këto raporte, ne do të përcaktojmë hapat e ardhshëm dhe kohën. Ne do të vazhdojmë të koordinohemi me Evropën dhe partnerë të tjerë në mbarë botën”, ka thënë Zelensky.
“Ne mbështetemi në arritjen e rezultateve të nevojshme dhe i falënderoj të gjithë ata që qëndrojnë me Ukrainën”.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së pyeti në një postim në platformën e tij Truth Social: “A është vërtet e mundur që të bëhet përparim i madh në bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës?”.
“Mos e besoni derisa ta shihni, por diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur”, theksoi Trump.





