Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelensky, i është drejtuar sot parlamentit të Australisë dhe atij të Holandës.
Ai i tha parlamentit australian se nevojiten sanksione të reja dhe më të forta për të rritur presionin ndaj Rusisë.
Sipas tij, bota duhet ta kishte ndëshkuar Moskën në vitin 2014 për pushtimin e Krimesë.
Zelensky më vonë iu drejtua parlamentit holandez dhe i kërkoi Holandës të bojkotonte eksportet ruse të energjisë.
Çdo dollar që merr Rusia nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për furnizimin e lëndëve të para, sipas Kievit, shkon drejtpërdrejt në industrinë ushtarake dhe në vrasjen e civilëve ukrainas.
“Ne duhet të bëjmë më shumë se në muajin e parë të luftës. Nuk mund të presim edhe 36 ditë të tjera. Kaq shumë njerëz kanë vdekur. Ne duam të mbijetojmë, të lirë nga tirania,” tha ai.
Më herët, Zelensky hodhi gjithashtu dyshime mbi pretendimet e Rusisë se po de-përshkallëzon luftimet në vendin e tij, duke e quajtur atë si pararendës të sulmeve të reja në rajonin separatist lindor të Ukrainës, Donbas.