23.4 C
New York
Thursday, August 14, 2025

Buy now

Zelensky do të pritet nga Starmeri në Londër para takimit mes Trumpit e Putinit

- Advertisement -

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet që të takohet të enjten në Londër më kryeministrin britanik Keir Starmer, vetëm një ditë para samitit mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë, Donald Trump e Vladimir Putin.

Zelensky dhe udhëheqës të tjerë evropianë, të cilët nuk do të marrin pjesë në takimin mes dy presidentëve në Alaskë, zhvilluan një bisedë të përbashkët nga distance me presidentin amerikan të mërkurën për ta ritheksuar pozicionin e tyre.

Kryeministri britanik tha se integriteti territorial i Ukrainës duhet të mbrohet dhe kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë, raporton televizioni BBC.

Javën e kaluar, Trumpi paralajmëroi se mund të ketë “ca shkëmbim territoresh, “për të mirën e të dyja palëve”, duke shkaktuar frikë se Ukraina mund të detyrohet që të japë disa zona me qëllim që t’i jepet fund konfliktit.

Ukraina ka këmbëngulur se nuk do ta pranojë kontrollin rus mbi territoret e pushtuara, përfshirë Krimenë, ndërsa Moska kërkon që të mos tërhiqet nga to.

Të mërkurën, presidenti amerikan paralajmëroi për “pasoja shumë të rënda” për Rusinë, nëse Putini nuk pajtohet për armëpushim.

Takimi mes dy presidentëve në Alaskë do të jetë i pari sy më sy që nga një shtrëngim duarsh në Helsinki në vitin 2018, por ata kanë biseduar disa herë në telefon.

Të ngjashme

Të fundit