Avokati , Yll Zekaj ka akuzuar Qeverinë Kurti se po vepron jashtë mandatit të saj dhe po merr vendime në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Zekaj tha se vendimet e fundit të ekzekutivit nuk kanë bazë ligjore dhe nuk prodhojnë efekt juridik, pasi sipas tij, qeveria aktuale është në detyrë dhe nuk ka kompetenca për të marrë vendime të tilla.
Ai tutje theksoi se është “jashtë logjikës juridike” që e njëjta qeveri të propozojë një projekt-buxhet dhe më pas të votojë për të në Kuvend si pjesë e legjislativit.
“Qeveria Kurti që nga fillimi i mandatit të saj dhe tani që është jashtë mandatit të saj ka marrur në baza jo ligjore dhe kundër kushtetuese vendime. Ne e kemi një vendim të qartë të Gjykatës Supreme i cili e ka shpërfaqur atë që kemi thënë mëherët që kjo qeveri në detyrë në momentin kur këta të njëjtit persona janë zgjedhur deputetë përkatësisht kryeministri Kurti dhe shumica e anëtarëve të kësaj qeverie, këta kanë humbur mundësinë që të marrin vendime si dikaster qeveritar përkatësisht si pushtet ekzekutiv, është e pamundur dhe jashtë logjikës juridike që të propozohet një projekt buxhet të kalohet në Kuvend dhe pastaj të njëjtit persona të cilët kanë propozuar këtë projekt-buxhet si anëtar të qeverise të shkojnë në Kuvend dhe të aprovojnë tanimë si anëtar të legjislativit. Cdo vendim i marrur nga kjo qeveri rrezikon të jetë i kundërligjshëm dhe mos të prodhojë efekt juridik dhe këtë besoj e din Kurti dhe anëtarët dhe të gjitha këto vendime sot janë marrur në frymën elektorale, janë marrur për të përfituar votën në kohë fushate, për ta mashtruar qytetarin e Kosovës”, ka deklaruar Zekaj në Tëvë1.






