Mbajtësit e pasaportës së Kosovës do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së pa vizë për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore.
Siç është konfirmuar për mediat serbe nga Komisioni Evropian, marrëveshja e arritur parasheh që liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë efektiv pas hyrjes në funksion të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), dhe më së voni deri më 1 janar 2024.
Sipas Anita Hipper, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Punë të Brendshme, serbët e Kosovës që kanë një pasaportë serbe të lëshuar nga Qendra Koordinuese Serbe aktualisht nuk përfitojnë nga regjimi pa viza e Serbisë me BE-në.
“Ndërsa ecim përpara me liberalizimin e regjimit të vizave për Kosovën, BE-ja është e vendosur të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza, me kusht që të ekzistojnë kushte për udhëtim të sigurt”, tha Hipper.