23.7 C
New York
Sunday, August 3, 2025

Buy now

Zëdhënësi i KQZ-së: Deri tash 1 mijë e 729 aplikime nga jashtë për zgjedhjet lokale

- Advertisement -

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga 23 korriku ka hapur periudhën e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri sot në ora 09:00 ka pranuar 1 mijë e 729 aplikime, nga të cilat janë aprovuar 1 mijë e 239.

Elezi ka njoftuar se periudha e aplikimit do të zgjasë deri më 29 të këtij muaji, derisa ka treguar arsyet pse refuzohet një aplikues.

“Deri më tani (e diel, 3 gusht, ora 09:00) përmes platformës elektronike janë pranuar 1,729 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 1,239, ndërkaq janë refuzuar 490. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës: dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.)”, ka sqaruar Elezi.

Por, Elezi ka theksuar se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës nuk është përjashtues, pasi që, sipas tij, një aplikues i refuzuar mund të riaplikojë pasi t’i ketë plotësuar kriteret e kërkuara nga KQZ-ja.

“Në rastet kur refuzohet një aplikim, ky nuk është refuzim përfundimtar. Në këto rrethana, KQZ do të informojë rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, ka njoftuar Elezi.

Tutje, i pyetur nëse në komunat ku potencialisht mund të ketë balotazh, duhet të bëhet sërish regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, Elezi ka mohur një gjë të tillë.

“Jo”, tha zëdhënësi Elezi, duke sqaruar se për balotazh do të vlejë regjistrimi i votuesve për zgjedhjet e 12 tetorit.

“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, të drejtën e votës jashtë Kosovës e kanë vetëm votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit dhe të atyre komunave në të cilat do të organizohet rrethi i dytë. Pra, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, sepse do të vlejë lista e njëjtë e votuesve”, ka treguar ai.

Ai ka ripërsëritur se në zgjedhje lokale, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesit jashtë Kosovës mund të votojnë vetëm përmes postës.

“Ky ligj specifikon qartë se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këto lloj zgjedhjesh. Pra, do të ketë vetëm votim me postë dhe për këtë KQZ-ja do të hap kuti postare në shtete të ndryshme, ku do të mund të dërgohet pako me fletëvotime”, ka thënë Elezi.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shtuar se deri më 29 gusht të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Aplikimi për regjistrim, duhet të jetë individual dhe mund të bëhet: përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit