Xhelal Sveçla Ministër i Brendshëm, që nga koha që ka marrë këtë pozitë ka thurur lavde për aktivitetet e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si më profesionalen në rajon.
Megjithatë ministri, nuk është treguar gjithherë kaq i sjellshëm me policinë, institucion ky që mbulohet nga ministria të cilën Sveçla e drejton.
Në një video që është shpërndarë nga Lulezim Blaka, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shihet se si Sveçla i sulmon policët me mjete të forta.
Nga ajo çfarë shihet në video, kuptohet se këto veprime Sveçla i ka bërë në ndonjërën nga protestat e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Xhelal Sveçla ty gjujt me mjete të forta në drejtim të policisë… e sot, ministër i brendshëm… Kjo është Qeveria Kurti”, ka shkruar Blaka.
Siç dihet, protestat e shumta të organizuara nga kjo parti në një kohë, shpeshherë kanë eskaluar në dhunë, ku përveç objekteve që janë dëmtuar, janë sulmuar e lënduar edhe policë.