Gazetari Vehbi Kajtazi, ka hedhur dyshime ndaj paraqitjes së butë të anëtarëve të LVV-së në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai është i mendimit se gjuha e ashpër e Albin Kurtit, kreut të LVV-së, do të kthehet qysh në ditën e parë pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Kurti me 29 dhjetor do t’i kthehet gjuhës së njëjtë sepse ai nuk do të funksionojë ndryshe. Edhe në intervistën në Kanal 10, ai i ka thënë disa qëndrime që nuk e ndërrojnë qëndrimin e zotit Kurti. Ai tha ‘një televizion, duke iu referuar Klan Kosovës. Pra, ai ka ende armiq, por thotë hajt se po iu shfrytëzoj juve”, theksoi Kajtazi në Rubikon të Klan Kosova.
Ndërkaq, sa i përket mediave, ai tha se nuk do të pranonte që LVV-ja të kthehet aq lehtë nëpër studio televizive.
“Do të duhej të kërkonin falje për gjuhën e poshtër që e kanë pasur për media. Mos të harrojmë se me gjuhën e tyre linçuese, këta ia kanë rrezikuar jetën njerëzve. Mos të harrojmë se ekipi i Klan Kosovës në zgjedhjet e shkurtit, ka qenë cak i sulmeve nga militantë të Vetëvendosjes, dhe kaq lehtë me kalu gjithë këto sulme dhe me ardh këta me u shtri nëpër studio televizive e me kallxu përralla, unë nuk e kisha pranuar një gjë të tillë”, tha gazetari.






