Analisti Jusuf Thaçi, ka shkruar një status relativisht të gjatë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka treguar se kush ka të drejtë të flas kundër Zajednicës.
“Partitë politike që e kanë votuar Zajednicën në kuvendin e Kosovës dhe e kanë bërë atë detyrim kushtetues e detyrim ndërkombëtar, nuk kanë të drejtë morale të flasin asgjë kundër Zajednicës, sepse ata e kanë pranuar dhe e kanë sjellë Zajednicën. Figurat publike që e kanë kritikuar dhe kundërshtuar LVV-në kur ajo e kundërshtonte Zajednicën, nuk kanë të drejtë morale të flasin asgjë kundër Zajdenicës, sepse ata janë pajtuar me Zajednicën. Të vetmit që kemi të drejtë morale ta kritikojmë LVV-në tash jemi ne që e kemi kundërshtuar Zajednicën vazhdimisht dhe e kemi përkrahur LVV-në në kundërshtimin e Zajednicës. Por, ne as nuk ndajmë motive të njëjta të kritikës e as nuk jemi në taborre të njëjta bindjore me dy kategoritë e mësipërme”, ka shkruar Thaçi.
Me tutje, ai thotë se kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shkelë premtimin e tyre për Asociacionin.
“Sipas gjykimit tim, Kryeministri Kurti dhe LVV e kanë shkelë premtimin e tyre në lidhje me Zajdenicën, sepse diskursi dhe premtimi i tyre ka qenë që për Zajdenicën as nuk do të pranojnë të flasin, lëre më ta pranojnë parimisht, siç tashmë e kanë bërë. Ndërsa, në rrafshin praktik mendoj që Zajednica nuk do të arrijë të zbatohet sepse atë që mund ta ofrojë Kosova nuk do të pranohet nga Serbia, kurse atë që e kërkon Serbia nuk mund ta pranojë Kosova. Por, rrafshi praktik, a do të arrihet të zbatohet Zajdenica apo jo, nuk e zvogëlon mëkatin e pranimit në parim të Zajednicës, aspak. Sepse nëse nuk arrin të zbatohet tash, do të zbatohet në të ardhmen, përveç nëse sigurohemi që nuk do t’i lëmë të ardhme fare Zajdenicës”, ka shkruar ai.