Charli XCX u pagua plot 900,000 paund (rreth 1 milion euro) për të performuar në Festivalin e Glastonbury këtë vit, një shumë që ka nxitur debat të nxehtë pasi fansat kritikuan ashpër performancën e saj, duke e quajtur “të mbushur me autotune” dhe “me vallëzim të tmerrshëm”.
Këngëtarja 31-vjeçare ishte kryefjala në skenën The Other Stage dhe tërhoqi një audiencë të madhe, aq sa skena u detyrua të mbyllej për arsye sigurie.
Sipas burimeve të brendshme të industrisë, Charli është ndër artistet e rralla që paguhet në mënyrë të konsiderueshme nga organizatorët e festivalit, ndërkohë që shumica e këngëtarëve marrin vetëm mbulim shpenzimesh ose bileta falas, shkruan DailyMail.
Ndërsa të pranishmit e kritikuan për mungesë të vokalit live dhe për përdorimin e akordimit automatik, Charli reagoi në rrjetet sociale, duke përqafuar polemikën dhe duke thënë se “arti më i mirë është përçarës dhe konfrontues”.
Këngëtarja ka qenë e hapur në të kaluarën për përdorimin e autotune-it si pjesë e stilit të saj muzikor dhe e ka cilësuar atë si “mënyrë për të tingëlluar më mirë”.
Ajo ka pranuar se me kalimin e kohës ka filluar të mbështetet gjithnjë e më shumë tek teknologjia gjatë performancave live.
Në kontrast të fortë, Rod Stewart deklaroi se doli me humbje nga pjesëmarrja në Glastonbury. Ai u pagua 120,000 paund, ndërsa shpenzoi 300,000 paund për prodhimin e shfaqjes së tij. Ndërkohë, edhe skena Woodsies, ku po performonin Scissor Sisters në të njëjtën kohë me Charli XCX, u mbyll për shkak të mbipopullimit.
Charli XCX u bë fenomen global pas suksesit të albumit “Brat” në vitin 2024, duke fituar dy çmime Grammy dhe një çmim BRIT.
Megjithatë, ndërsa suksesi i saj profesional është i padiskutueshëm, debati për autenticitetin e performancave të saj live vijon të ndezë diskutime mes publikut.