Është zbuluar tashmë se cili do të jetë destinacioni i mundshëm i Mohamed Salah pasi u bë e ditur se negociatat me Liverpoolin për rinovimin e kontratës kanë ngecur.
Liverpooli u djersit shumë për të siguruar një fitore të vështirë me rezultat 3-2 në udhëtim ndaj Southamptonit në kuadër të Ligës Premier.
Por pas përfundimit të atij takimi, Salah i cili kishte shënuar dy gola, ka thënë se ai nuk ka marrë ende ndonjë ofertë nga klubi për ta zgjatur kontratën.
Tani, sipas një raportimi të ri, është bërë me dije klubi i cili ka gjasat më të mëdha për transferimin e Salah në rast se Liverpooli vendos që të ndajë rrugët me reprezentuesin egjiptian.
Sipas gazetarit Ben Jacobs, klubi arab Al-Hilal është i etur për të nënshkruar me egjiptianin nëse ai nuk arrin një marrëveshje me Liverpoolin.
“Të gjitha shenjat bëjnë me dije se Arabia Saudite do të rikthehet dhe nëse Salah është një lojtar i lirë, ai mund të marrë edhe një bonus të madh nënshkrimi”.
“Liverpooli do që ai të rinovojë, por Arabia Saudite po shtyn fortë. Drejtori sportiv i Superligës së Arabisë, Michael Emenalo, i cili ka një raport të shkëlqyer me Salah, po udhëheq negociatat”.
“Kështu që e vetmja gjë që ka ndryshuar është klubi, nga Al-Ittihad tek Al-Hilal dhe pritshmëritë janë që arabët do të bëjnë një shtytje të madhe”, ka deklaruar Jacobs.