Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken publikisht më 19 maj të vitit 2021 shpalli ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha person “non grata” për korrupsion madhor dhe minim në demokracisë. Një vit më pas me 19 korrik të vitit 2022 jo publikisht të njëjtin vendim mori edhe Britania e Madhe.
Nga selia e PD, Sali Berisha më 22 korrik të vitit 2022, tregoi se sekretaria e shtetit për punët e brendshme në Britaninë e Madhe i kishte ndaluar hyrjen në këtë shtet.
Sali Berisha tregoi vetëm një pjesë te motiveve. Më pas akuzoi dhe sulmoi ashpër ambasadorin Britanik në Tiranë, Alastair King-Smith me pretendimin e paprovuar me fakte, se ai bashkë me Ramën dhe Bashën e futën në listën e zezë britanike.
Por nga ky dokument 35 faqesh dorëzuar në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit”, ku Berisha apeloi vendimin, ndryshe nga pretendimet e ish-kryeministrit demokrat, tregohen mekanizmat se kush e inicioi këtë ndëshkim për Berishën.
Të dhënat në këtë dokument iu paraqitën gjykatës, në atë që njihet si “SESIONI I HAPUR” ndërsa në “SESIONIN E MBYLLUR” janë paraqitur fakte dhe grup-fakte të tjera nën siglën sekret, të cilat nuk do mësohen asnjëherë përveç palëve në proces.
Ky dokument është paraqitur në gjykatë nga Lisa Giovannetti KC, përfaqësuese e qeverisë angleze në këtë proces, si prapësime të pretendimeve të zotit Berisha.
Në këtë dokument tregohet se Qeveria Britanike në Mars 2021 ngriti projektin “Crime State Nexus” për të minimizuar kërcënimet që i vinë Britanisë së Madhe nga grupet e krimit të organizuar prej Ballkanit Perëndimor.
Në tryezën e këtij projekti, ulen përfaqësues të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme Foreing Office dhe ata të Punëve të Brendshme Home Office, raporton Top Channel.
Dokumenti tregon se ishte projekti qeveritar “Crime State Nexus” ai i cili i sugjeroi sekretares të atëhershme të shtetit Priti Patel t’ia ndalonte hyrjen Sali Berishës në Britaninë e Madhe.
Në procesin ndaj Berishës janë përfshirë edhe gjetjet e National Crime Agency (Agjencisë Kombëtare kundër Krimit) që njihet si njohur si FBI-ja angleze të pasqyruara në dokumentin “Tactical Assessment” (Vlerësimi Taktik) i datës 14 Korrik 2021, ku shpjegohet problemi i asaj që njihet si “state capture” (kapja e shtetit). Projekti i qeverisë britanike “Crime State Nexus” jep këtë përfundim për lidhjet e krimit me politikën në Shqipëri.
“Lidhjet midis politikës dhe krimit në Ballkanin Perëndimor krijojnë një mjedis lejues në të cilin kriminelët dhe grupet e krimit të organizuar, mund të veprojnë dhe të përfitojnë nga mbrojtja politike e politikanëve të korruptuar nga aktivitetet e zbatimit të ligjit. Kjo mbrojtje politike u siguron gjithashtu Organizatave të Krimit të Organizuar rrugë shtesë për të pastruar paratë dhe u mundëson atyre të përdorin Shqipërinë si një strehë të sigurt nga e cila mund të operojnë. Në këmbim, këto grupe do të ndihmojnë një politikan gjatë zgjedhjeve duke blerë vota dhe duke frikësuar votuesit”.
Ishin drejtuesit e këtij projekti ata të cilët përmes një raporti referues i rekomanduan sekretares së shtetit Priti Patel, masa ndëshkuese për Berishën.
“Ky raport përmban vlerësimin përmes evidencave të mbledhura se apeluesi (Sali Berisha) është i përfshirë në korrupsion domethënës kur ishte kryeministër i Shqipërisë dhe po ashtu i lidhur me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë”.
Bazuar në këto të dhëna sekretarja e shtetit më 19 korrik 2022 pranoi rekomandimin dhe urdhëroi ndalimin e zotit Berisha për të hyrë në Britaninë e Madhe. Janë tre episode me tre personazhe konkrete të cilat lidhin zotin Berisha me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Apeluesit iu vunë në dispozicion një seri me artikuj marrë në konsideratë gjatë vlerësimit vendimmarrës. Përfshihen artikuj ku janë hedhur akuza për ndërtimin e një parku energjetik nga ku zonja Malltezi ishte e përfshirë dhe kishte përfituar. Hetimi ndaj Damir Fazlic kishte “presion politik intensiv ndaj prokurorëve prej qeverisë. Përfshi artikuj ku tregohet Fation Dauti duke goditur një derë, e në këtë mënyrë apeluesi Sali Berisha bashkë ke enturazhin e tij donin të hynin në një dhomë në selinë e PD-s”.
E njëjta gjykatë ku apeloi ish kryeministri Berisha, i refuzoi Fation Dautit në mars 2021 rinovimin e lejes së qëndrimit në Britaninë e Madhe. Bazuar në informacionet e NCA treguar në gjykatë, i riu nga Hasi konsiderohej një aktor i rëndësishëm i krimit të organizuar shqiptar në Londër, me mundësi përdorimi të dhunës ekstreme. Martin Matthews, drejtor i operacioneve në NCA, tha në gjykatë se Fation Dauti vlerësohet se drejtonte një rrjet kriminal në Angli.
Në shtator të vitit 2013 ai i mbijetoi një atentati brenda lokalit që e kishte nën pronësi afër shkollës së Baletit.
Në faqen 13 të këtij dokumenti thuhet se zoti Berisha çoi 600 faqe me dëshmi dhe prova të cilat u morën në konsideratë nga Sekretarja e Shtetit, por vendosi të lërë në fuqi vendimin e marrë pasi kishte në dispozicion të dhëna të mjaftueshme.
“Kjo përfshin një vlerësim të një niveli të konsiderueshëm korrupsioni që ndodhi gjatë gjithë kohës kur Berisha si Kryeministër, qoftë i kryer nga ai ose nga anëtarë të partisë së tij, i cili, për shkak të nivelit të kontrollit mbi partinë, duhet të jetë vënë me dijeni. BERISHA ndërhyri në hetimin për FAZLIC-in dhe se blerja nga FAZLIC e tokës në kufi me parkun energjetik të Porto Romanos, ndodhi pasi ai kishte njohuri të brendshme. Gjithashtu vlerësohet se BERISHA ka përfituar nga lidhjet me kriminelët dhe veprimtarinë kriminale”.
Ndërsa në faqen 17 duke iu referuar raportime të brendshme të departamenteve qeveritare angleze mbërrihet në përfundimin se:
“Apeluesi Sali Berisha abuzoi me pushtetin duke emëruar zyrtarë të korruptuar, ndërhyri në sistemin e drejtësisë shqiptare për të marrë në mbrojtje nga hetimet vartësit. Ndërmori survejim ilegal të kundërshtarëve politik. Raportet e brendshme më tej tregojnë një panoramë të pastër të përhapjes të korrupsionit gjatë periudhës qeverisëse të Berishës në mënyrë të veçantë përpara zgjedhjeve të 2013. Kjo u përdor për interesa të tijat, ndihmën e aleatëve të tij duke blerë suport politik.
Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit i tha Top Channel se nuk ka përfunduar ende shkrimi vendimit për apelin e zotit Berisha, zhvilluar në këtë komision, gjatë muajt Mars. /TCh/