23.9 C
New York
Thursday, June 5, 2025

Buy now

Zbërthimi i aplikacionit “Sky Ecc” ekspozon rrjetin e dyshuar kriminal në Kosovë

- Advertisement -

Një prej aksioneve më të mëdha të policisë së Kosovës është zhvilluar të martën.

Aksioni është zhvilluar në disa qytete të Kosovës dhe në të kanë marrë pjesë më shumë se 500 policë të njësive speciale dhe të anti-drogës.

Disa të dyshuar për pjesëmarrje në një grup të dyshuar kriminal janë arrestuar gjatë këtij aksioni të madh.

Hetimet penale të Prokurorisë Speciale për këtë rast ndërlidhen me prova të mbledhura nga platforma e komunikimeve të koduara Sky Ecc.

Sky Global kishte prodhuar telefona të pagjurmueshëm dhe ishin të preferuar për kriminelët që kryenin vrasje dhe planifikonin shumë të tjera.

Telefonë të tillë kishin edhe një grup kriminal në Serbi që kishte masakruar disa persona.

Sërxhan Laliq, ishte anëtar i grupit “Principi” dhe disa nga “vëllezërit” e tij siç i quan anëtarët e tjerë, përdornin telefonat e enkriptuar për t’u rrëfyer shefave për vrasjen që sapo kishin kryer, ose u dërgonin fotografi të trupit të burrit që sapo e kishin copëtuar.

Mirëpo Laliq nuk ishte vetëm gangster i pamëshirshëm – ai kishte edhe një punë ditore. Ai ishte i autorizuar për shitjen e telefonave të enkriptuar nga kompania me bazë në Vancouver të Kanadasë, Sky Global. Kjo kompani u premtonte përdoruese se komunikimi me këta telefona ishte krejt sekret – për aq kohë sa përdoronin telefonat Sky.

Sipas dëshmisë së tij, Laliq kishte fituar 120 mijë euro në muaj nga shitjet për Sky Global, madje edhe ai vetë dhe grupi kishin përdorur telefonin më të njohur Sky ECC për të organizuar torturat, masakrat dhe vrasjet e armiqve të tyre.

“Nuk përdornim telefona të zakonshëm”, kishte thënë Laliq para gjykatësve francezë, duke dëshmuar si dëshmitar në rastin kundër Sky Global dhe rrjetit të shpërndarjes së këtyre telefonave. “Ishte mënyrë e shmangies së hetuesve”, kishte dëshmuar ai.

Zbulimi i këtij sekreti çoi në botën e errët të dhunës dhe tmerrit që fshihej prapa telefonave Sky, të cilët ishin përdorur për planifikim vrasjes, organizim të vijave për transportin e kokainës dhe plaçkitjeve nëpër Evropë mes viteve 2016-2021.

Kur u zbulua ky rast në vitin 2021 nga operacioni i përbashkët mes policive franceze, belge dhe holandeze, u mësua se në aktivitetet kriminale ishin të përfshira shumë shtete.

Në Francë, janë ngritur raste ndaj 31 personave që dyshohet se kanë mundësuar krimin nëpërmjet shpërndarjes së telefonave Sky.

Me vite të tëra, grupi i Laliqit i quajtur “Principi”, kishte menduar se e ka mbrojtjen nga qeveria. Por nëpër telefonat e kapur janë gjetur pamje të rivalëve të torturuar dhe të vrarë. Në mesin e tyre ishte edhe lideri i grupit Veljko Belivuk.

Pas arrestimit në vitin 2021, Laliq arriti marrëveshje me prokurorët në Serbi dhe dëshmoi për krejt aktivitetet kriminale, përfshirë pjesëmarrjen në gjashtë vrasje brenda shtëpisë me emrin “Shtëpia e kasaphanës”.

Rivalët ftoheshin në këtë shtëpi dhe më pas vriteshin. Trupat e tyre griheshin në grirëse mishi.

Laliq mori nofkën “Kasapi i buzëqeshur” pasi u publikua një fotografi e tij duke qeshur pranë një kufome.

EncroChat – rrjeti i enkriptuar

EncroChat ishte një rrjet i enkriptuar i komunikimit që përdorej fort nga kriminelë në Europë, veçanërisht për trafik droge, armë, pastrim parash dhe madje edhe urdhra për vrasje. Në vitin 2020, autoritetet franceze dhe holandeze arritën të depërtonin në sistemin e EncroChat dhe për muaj të tërë përgjuan bisedat e përdoruesve pa dijeninë e tyre.

EncroChat ishte një aplikacion për mesazhe të enkriptuara, i instaluar në telefona të modifikuar që nuk kishin GPS, mikrofon, kamerë ose funksione të zakonshme të telefonit, dhe përdornin sistemin e tyre të enkriptimit. Përdoreshin nga grupe kriminale për: Trafik ndërkombëtar droge, trafik armësh, pastrimi i parave, planifikime vrasjesh, rrëmbime dhe dhunë ekstreme.

Një prej rasteve më të famshme është ai i Britanisë së Madhe kur u arrestuan 1 mijë e 500 persona.

Gjatë këtij aksioni u kapën disa tonë drogë dhe miliona funte e armë.

Përdoruesit identifikoheshin nga pseudonimet që mbanin në aplikacion dhe përmbajtja eksplicite e bisedave.

Raste u regjistruan edhe në Francë e Holandë

Autoritetet zbuluan qindra plane për vrasje, rrëmbime, tortura. U penguan dhjetëra krime në kohë reale. U arrestuan anëtarë të grupeve të mëdha kriminale, përfshirë edhe mafien shqiptare në Holandë.

Policia gjeti kontejnerë të modifikuar si qeli torturash, të mbuluar me materiale për izolim zëri, me karrige dentisti të modifikuara, mjete torture etj.

Planifikimi i tyre ishte bërë përmes EncroChat.

Rrjeti i kokainës në Spanjë dhe Belgjikë

U zbulua një rrjet që trafikonte kokainë nga Amerika Latine në portet europiane, sidomos në portin e Antwerpit.

U zbuluan përfshirje të zyrtarëve të portit që ndihmonin në kontrabandë.

Krimi i organizuar shqiptar në Europë

Përdorues shqiptarë të EncroChat përdoreshin për të organizuar trafik droge nga Amerika Latine në Europë, me bashkëpunim me kartele dhe rrjete evropiane.

Ka pasur të dhëna për planifikim të transportit me kamionë, anije dhe nëpërmjet linjave ajrore të mallrave.

Në total, më shumë se 115 milionë mesazhe të kriminelëve janë përgjuar dhe analizuar nga Europol. Kjo ndërhyrje është konsideruar si një nga goditjet më të mëdha ndaj krimit të organizuar në historinë e Evropës./Paparaci.com.

Të ngjashme

Të fundit