Shtetet e Quint-it po presin, duke e rikujtuar gjithnjë e më shpesh kërkesën e tyre për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën e Manastirit të Deçanit. Kryeministri është munduar të shpjegojë mospajtimin e tij me vendimin. Por kryetari i Deçanit është shumë më i drejtpërdrejtë. Thotë se nuk do ta zbatojnë kurrë.
Kryeministri Albin Kurti foli për ndarjen e pushteteve, kur u pyet sot në një konferencë për media lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në favor të Manastirit të Deçanit për tokën 24 hektarështe.
Agjencia Kadastrale e Kosovës – që është autoriteti qendror për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave kadastrale dhe funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit – është përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi të Kushtetueses, thotë kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ai i tha Gazetës Express se “çdokush po mundohet me i ikë një lloj përgjegjësie që e ka të veten”, ndërsa theksoi se kjo komunë nuk do ta zbatojë kurrë këtë vendim.
“Çështja është… realisht është komplet nën patronatin ose nën legjislacionin që shteti e rregullon. Është përgjegjësi e agjencionit kadastral. Sa i përket kadastrës së Deçanit, nuk ka me e zbatu kurrë”, tha Ramosaj.
Atij nuk i pëlqeu pyetja se a mund ta zbatojë vetë komuna këtë vendim. Tha se janë deklaruar për këtë çështje dhe se nuk ka nevojë për më shumë shpjegime.
“Edhe me mujtë me e bë, nuk kemi me e zbatu. Edhe me pasë mundësi, me pasë të drejtë me e bë, nuk kemi me e bë”, theksoi ai.
I pyetur për kërkesën e shteteve të Quint-it për zbatimin e vendimit të Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit, Kurti nuk foli kaq direkt sa Ramosaj.
“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, a nuk janë të ndara pushtetet? Pushteti ekzekutiv dhe pushteti gjyqësor? Pse kaq shumë kërkesë nga Qeveria e Kosovës që në njëfarë mënyrë të ndërthuret me një shtyllë tjetër të pushtetit? Vazhdimisht është kërkuar që ne të mos përzihemi në shtyllat e tjera të pushtetit, që natyrisht është tipar i demokracisë, mirëpo në këtë rast kërkohet vazhdimisht që ne të jemi aty pranë Gjykatës Kushtetuese. Ajo e bën punën e saj sipas diskutimeve dhe mendimeve që ka. Ne jemi një organ tjetër dhe jo vetëm për nga shkalla, por edhe nga natyra e Republikës së Kosovës”, tha fillimisht kryeministri në një konferencë për media të mërkurën.
Kurti evidentoi disa shkelje, që sipas tij janë bërë në procedurën deri te aktgjykimi.
“Ata e kanë dhënë aktgjykimin e tyre, unë besoj që ka shumë shkelje procedurale. Nuk është Manastiri i Deçanit palë në çështje, është Kisha Ortodokse, gabimisht është pranuar. Nuk mund të na përfaqësojë neve AKM-ja e UNMIK-ut pas shpalljes së pavarësisë, por është dashur AKP-ja. Edhe kjo është shkelje. Janë të panumërta ato. Por, qeveria i mbahet drejtësisë. Nuk angazhohemi ne me logjikë pazaresh me askënd. As brenda, as jashtë vendit. Me dijen që e kemi, me aftësisë që i posedojmë e bëjmë më të mirën e mundshme”, tha ai.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja tha të martën në Pressing të T7 se pronat duhet t’i kthehen Manastirit të Deçanit. Sipas tij, Kosova ka mundur ta evitojë këtë situatë, por nuk e ka bërë me kohë dhe tani s’ka mbetur zgjidhje tjetër.
“Nuk ka mundësi të suprimohen vendime të tilla, por që gllabërimi është natyrë e jona. Ose duhet të suprimohet nga Kuvendi me vendim, që do të bëhej një rrëmujë e madhe. Ose duhet të heq dorë Manastiri i Deçanit. Zgjidhje tjetër nuk ka përveç që të kthehen pronat te Manastiri i Deçanit. Ia kemi bërë vetes. Zgjidhje tjetër nuk ka. Ajo ka mundur të bëhet me kohë. Ka mundur. Tash nuk ka tjetër zgjidhje sepse e ke të shkruar taksativisht. E ke miratuar dhe ke pasur arsye që të mos e bësh. Sepse janë vendime të një shteti gjenocidal. Dhe ato vendime gjithmonë janë zhbërë me vendime të parlamenteve”, ka thënë kryeakademiku.
Kontesti gjyqësor rreth çështjes se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – ka zgjatur 16 vjet.
Më 20 maj 2016, Gjykata Kushtetuese pati marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit. Ai nuk u zbatua.
Bashkësia ndërkombëtare tash e disa vjet u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta zbatojnë këtë vendim dhe ta lejojnë Manastirin që ta regjistrojë tokën në kadastër.
Në reagimin e fundit, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës thanë se zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe vunë në dukje se këto janë edhe parakushte për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhej në reagimin Quint-it më 20 maj të këtij viti.